Pse Vuçiçi Vazhdon të Prodhojë Armiq?

Sipas një sondazhi të fundit të opinionit publik, të kryer në fillim të gushtit, shkalla e popullaritetit të Kryeministrit Aleksandër Vuçiç dhe Partisë së tij Progresive, SNS, është rreth 50 për qind.

Duke gjykuar mbi këto rezultate, Kryeministri Vuçiç mund të rrijë i qetë dhe të ndërmarrë “reformat e dhimbshme” për të cilat ka paralajmëruar, pavarësisht rrezikut për të humbur një përqindje të vogël mbështetësish.

Megjithatë, një ide e përgjithshme që kur është bërë zëvendës kryeministër në 2012 dhe më pas kryeministër në prill të këtij viti, është se ai dhe qeveria e tij janë nën kërcënim nga armiq misterioz dhe të fuqishëm.

Shembulli më i fundit erdhi në një deklaratë të Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Alekandër Vulin, në lidhje me lirimin e përkohshëm të liderit ultranacionalist, Vojisllav Sheshel nga paraburgimi i Gjykatës së Hagës.

“Gjykata e Hagës është e kontrolluar nga SHBA-ja dhe SHBA-ja e liroi atë – SHBA po thotë tani, përmes gojës së tij se do të rrëzojë qeverinë tonë,” pretendoi Vulin më 12 nëntor.

Vukasin Pavloviç, një profesor sociologjie në Fakultetin e Shkencave Politike, thotë se qeveria po krijon një atmosferë tensioni dhe alarmi për të ruajtur popullaritetin e vet dhe për të larguar vëmendjen nga politikat jopopullore.

“Ekziston nevoja e brendshme dhe e jashtme për të mbajtur lart popullaritetin e qeverisë, në mënyrë që të zgjidhen çështje të rëndësisë gjeostrategjike, si Kosova,” tha ai.

Ai beson se duke ngulur këmbë vazhdimisht në konspiracione dhe kërcënime, qeveria po përpiqet të sigurojë sa më shumë mbështetje të jetë e mundur për ndryshimet që po planifikon të bëjë.

“Një situatë në të cilën thuhet vazhdimisht se jemi në rrezik, largon vëmendjen nga një pjesë më e madhe e shoqërisë që po varfërohet,” vëzhgon ai.

“Prodhimi dhe përdorimi i armiqve” është një taktikë e përdorur shpesh për të qëndruar në pushtet, shpjegon profesor Dragan Popadic, një psikolog social.

Ky armik është më së shumti një grup me ideologji të kundërt, që kërcënon qeverinë. “Por, ndryshe nga betejat partizane, ku mungon ideologjia, si në vendin tonë, një armik mund të jetë pothuajse kushdo, një individ ose të tjerët,” shton ai.

“Nuk ka asgjë më të lehtë se të qeverisësh një vend ku i vërteton aftësitë e tua duke bërë premtime të dëshiruara, dhe t’i shpjegosh premtimet e papërmbushura me veprimet e armiqve.”

Prej dy vitesh, manjati Miroslav Miskovic ka qenë armiku më i përmendur.

Në tetor 2012, gazeta “Informer” shkroi se konflikti mes tij dhe Vuçiç do të “përcaktonte jo vetëm fatin e qeverisë, por të të gjithë shtetit”.

Vuçiç dha një mesazh dramatik: “E di se ata që janë kundër meje janë të fuqishëm… E di që paraqes një problem të madh për ta sepse nuk do të heq dorë kurrë dhe sepse jam i përgatitur të paguaj çdo çmim!”

Pasi u ngrit çështja në gjykatë kundër Miskoviçit, Vuçiçi akuzoi median dhe gazetarët kritikues ndaj qeverisë se paguheshin nga Miskoviç.

Në lidhje me grevën aktuale të avokatëve, ndërkohë, Vuçiç iu bashkua Ministrit të Drejtësisë Nikola Selakovic që e akuzon Miskoviçin se është ai që fshihet pas protestës.

“Disa manjatë të caktuar do të bënin gjithçka që munden për të parandaluar afrimin e fundit të gjyqit… pjesërisht në një mënyrë politike, pjesërisht përmes avokatëve, pjesërisht me ndihmën e palëve të treta,” deklaroi Vuçiç.

Së bashku me manjatët, shteti dhe qeveria e kanë deklaruar veten nën ‘sulmin’ e figurave të çuditshme si Nikola Sanduloviç.

Duke e prezantuar veten si lider i Partisë Republikane [që nuk ekziston], dhe si një ish-këshilltar të Kryeministrit të fundit Zoran Djindjiç, ai u përpoq të debatojë me kryeministrin gjatë leksionit të fundit në Shkollën e Ekonomiksit të Londrës, LSE, gjë të cilën një gazetë e qeverisë e paraqiti si një ‘puç në tentativë”.

Rasti Sanduloviç u harrua shpejt nga një kërcënim i ri.

Kur një takim i Komisionit Trilateral u mbajt në fillim të nëntorit në Croëne Plaza Hotel të Miskoviç, publikut iu tha se një njësi kundërsabotazhi dhe një skuadër antiterrorizëm kishte zbuluar një kamera në sallonin ku kryeministri po mbante takimet me qeveritarët dhe biznesmenët.

Agjencia e Sigurisë Ushtarake nuk e besoi stafin e hotelit që këmbënguli se kamerat ishin të zakonshme në ndërtesa të tilla dhe kështu, më pas nisi një hetim për përgjim.

Asnjë informacion nuk është publikuar më pas për rezultatet e këtij hetimi, ashtu siç nuk është bërë e ditur se kush i përgjoi në 2012 telefonat e presidentit Tomislav Nikoliç dhe të zëvendës kryeministrit të atëhershëm, Vuçiç.

Është pretenduar edhe se siguria e kryeministrit është kërcënuar nga gazetarët.

Verën e shkuar ai braktisi planet për një pushim treditor në liqenin Bor, “për shkak se dhoma ngjitur me të tijën u mor me qira nga persona të dyshimtë, ku pretendimi thoshte se ishin gazetarë të CINS dhe BIRN”, lexonte faqja e parë e “Informer”, së bashku me foto e gazetarëve ‘spiunë’.

Në prill 2013, përpara nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Vuçiç deklaroi se jeta e tij ishte në rrezik. “Mesazhet se ata do të më vrasin po vijnë çdo sekondë,” tha ai.

Ai i tregoi reporterëve nga agjencia e lajmeve Tanjug në Serbi mesazhet në telefon dhe ai që lexohej më shpesh shkruante: “Ke tradhtuar Kosmetin [një term për Kosovën]. Do të vritesh ashtu si Zorani [Djindjic, u qëllua në 2003].”

Nuk ka informacion se autori i këtij kërcënimi me vdekje është identifikuar.

Të panjohur mbeten edhe personat që çuan mesazhe kërcënuese ndaj familjes së kryeministrit. Në 2013, ai iu ankua reporterëve se djali i tij 15-vjeçar “po qante dhe po thoshte se si do të vriste veten për shkak të kërcënimeve që merrte në Facebook”.

Një muaj më vonë, në maj 2013, i njëjti djalë u bë qendra e skandalit për të cilin, siç media raportoi, Vuçiç u bë gati të jepte edhe dorëheqjen. Rezultoi se disa persona kishin provuar ta shantazhonin me informacion të rremë se djali i tij, Danilo, rrahu portierin Vladimir Stojkovic në një anije në Beograd.

Konspiracioni erdhi nga Ministria e Brendshme, pretenduan gazetat, ndërsa Vuçiç paraqiti akuza kundër personave të paidentifikuar në polici. Përfundimi i këtij hetimi është gjithashtu i panjohur dhe çështja u zhduk nga media.

“Çfarë duket e thjeshtë në fillim – të zbulosh skandale të reja përditë – shpejt bëhet më e ndërlikuar për qeverinë sepse armiqtë janë mbaruar, saqë atyre u duhet të gjejnë të rinj,” thotë Dragan Popadiç.

“Një proces që, ndonëse ngjan i thjeshtë në fillim… së shpejti ka çmimin e vet sepse të paktën disa akuza duhet të provohen dhe disa procese duhet të kompletohen dhe e vetmja mënyrë që këto skandale të sajuara të harrohen është të ‘ekspozohen’ të reja, më tronditëse,” shpjegon ai.

Krahasuar me ankesat penale të harruara shpejt, skandalet ku ishte përfshirë vëllai i Vuçiç patën një epilog krejt tjetër.

Anëtarë të xhandarmërisë që e rrahën atë në shtator të këtij viti gjatë Paradës Gej sepse ai refuzoi të tregonte kartën e tij të identitetit janë ndëshkuar, ndërsa gazetat e përshkruan ngjarjen si një sulm mbi familjen.

Një muaj më vonë, lideri i Partisë së Re opozitare, Zoran Zivkovic, gjithashtu ‘sulmoi” familjen kur ai pretendoi se vëllai i Vuçiç kishte një biznes privat. Një hetim i përciptë mbi këto pretendime doli në përfundim se vëllai i kryeministrit ishte një viktimë e falsifikatorëve që themeluan një kompani në vitin 2010 me një kartë të rreme identiteti në emër të Andrej Vuçiç, siç shpjegoi policia e tatimeve, “u themelua me qëllimin e operacioneve abuzive biznesi”.

Profesorët Pavloviç dhe Popadiç ranë dakord se “përdorimi i armiqve” nuk është një rutinë vetëm në Serbi. “Është një pragmatizëm politik i llojit populist, i ngjashëm me atë që ndodh në Hungari dhe Turqi, nga ata që mund të kenë pasoja shumë autoritare,” thotë Pavloviç.

“Nxjerrja e skandaleve dhe konspiracioneve, dhe manovrimi me armiq të ndryshëm bëhet një formë e përballjes me problemet sociale,” shtoi ai.

“Nga aspekti afatshkurtër, kjo taktikë është shumë e dobishme për ata që janë në fuqi, megjithatë nga aspekti afatgjatë, është shkatërrimtare si për ata në pushtet, ashtu edhe për shoqërinë.”

“Kur qeveria të ndryshojë, do të lërë pas një shoqëri të shkatërruar, pa rezistencë ndaj demagogjisë populiste dhe aspiratave diktatoriale. Kjo gjë na ka ndodhur tashmë në vitet nëntëdhjetë,” paralajmëron Popadiç.