Kryesia e LDK-së Nesër Vendos Vazhdimin ose Ndarjen me Bllokun

“Është vendim i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës që LDK-së t’i takojë pozita e kryeministrit, pasi edhe ka shumicën në këtë koalicion dhe ne mbesim pranë këtij qëndrimi”, tha Arban Abrashi i LDK-së.

Ai theksoi se në qoftë se AAK-ja merr ndonjë qëndrim apo lëvizje tjetër, atëherë edhe LDK-ja do të marrë një qëndrim.

“Në qoftë se AAK-ja përfundimisht qëndron pranë këtij qëndrimi. Gjithashtu edhe ne do të konsultohemi me strukturat tona dhe do të marrim një qëndrim përfundimtar”, tha Abrashi.

Kryesia e AAK-së ka mbajtur një mbledhje ku i ka dhënë mbështetje të plotë Ramush Haradinajt që ai të jetë i nominuari i bllokut për kryeministër.

Por Abrashi mendon se ende ka hapësirë që të arrihet një marrëveshje në mes partive të bllokut.

“Besoj që ende ka hapësirë për mirëkuptim, pasi që edhe Lidhja Demokratike është shumica brenda këtij koalicioni paszgjedhor”, tha ai.

Ai shtoi se gjatë ditës mund të ketë takim në mes të liderëve, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje.

Ndërsa i pyetur si i komenton deklaratat e Avni Arifajt  dhe Anton Berishës , të cilët kanë kritikuar Isa Mustafën për keqqeverisje të Prishtinës gjatë kohës që ai ishte kryetar, Abrashi tha se këto janë qëndrime personale.

“Mendoj që janë qëndrime personale dhe realisht i kemi trajtuar si të tilla. Jemi marrë me çështje ma madhore të cilat kanë të bëjnë me qeverisjen e vendit”, shtoi Abrashi.