Edhe 30 Ditë Paraburgim për Mjekët e Stentave Dhe SMS-ve

KALLXO.com pati raportuar muajin e kaluar për shkëmbimin e mesazheve telefonike mes mjekëve të arrestuar të cilët bënin mashtrim me pacientët duke i dërguar nga QKUK-ja në spitale private e më pastaj duke marrë para prej 500 euro për këto shërbime.

Të dyshuar në këtë rast janë Lulzim Brovina, Borçe Petrovski, Ali Hocaogllu, Astrit Bakiqi, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Murat Abazi dhe Reshat Emra.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, Besnik Berisha, avokati i Nexhmi Zeqirajt, shef i Njësisë Koronare në QKUK.

“Masa e paraburgimit është vazhduar edhe për 30 ditë bazuar në kërkesën e prokurorisë. Arsye ligjore për gjykatën është se akoma ekziston dyshimi i bazuar si rreziku i pengimit të procedurës, rreziku i ikjes dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale”, tha avokati Berisha.

Mbrojtësi Berisha ka treguar se Prokurori special Besim Kelmendi ka bërë rikualifikim të veprës penale krim i organizuar.

“Pas intervistës së të pandehurve, prokuroria si duket ka reflektuar dhe e ka parë se ai kualifikim jo vetëm që ishte i pabazuar por ishte komplet absurd. Tani ka kualifikuar veprën krim i organizuar nga neni 283 paragrafi 2 që parasheh 10 vite burgim në nenin 283 në paragrafin 1 që parasheh 7 vite burgim. Kjo i bie se ka ndryshuar rolin e përfshirjes së të pandehurve por edhe vitet e dënimit ”, tha Berisha.

Mjekët e rastit “Stenta”, janë arrestuar më 9 tetor nga Policia e Kosovës ndërsa me 10 tetor atyre u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.