Ulrike Lunacek e Ashpër në BE-në dhe EULEX-in

Në një deklaratë me shkrim, Lunacek ka kërkuar që ky hetim të bëhet nga një organ i jashtëm dhe i pavarur, ndërsa ka kërkuar sqarim të arsyeve të suspendimit të prokurores Maria Bamieh dhe mbrojtjen e saj nga ana e misionit.

“Për shkak të faktit se EULEX është misioni më i madh dhe më i rëndësishëm i BE-së, kredibiliteti i tërë politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së është në rrezik; një raport nga Gjykata e Auditorëve së fundi ka theksuar disa mangësi të këtij misioni; unë në të kaluarën disa herë e kam ngritur çështjen e joefikasitetit të marrjes me raste të nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë si dhe me problemet që kanë të bëjnë me periudhën e kufizuar të shërbimit të gjykatësve të huaj për shkak të rregulloreve të shteteve anëtare të BE-së të cilat, mes tjerash, minonin rezultatet e suksesshme të hetimeve që ishin po bëheshin”.

“Ky rast duhet të sjellë një auditim të ri të EULEX-it me rikonfigurim dhe ripërcaktim eventual të mandatit të tërë misionit; duhet t’i kushtohet vëmendje e duhur kritereve të përzgjedhjes së personelit si të EULEX-it ashtu edhe të misioneve të ardhshme të BE-së në vendet e treta”.

“Edhe më shqetësuese janë akuzat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës lidhur me presionin e mundshëm nga zyrtarët e EULEX-it ndaj gazetarit të gazetës Koha Ditore për të ndaluar atë në raportimin e skandalit; kjo është e papranueshme dhe e pashpjegueshme; nëse ky presion konfirmohet atëherë zyrtari i BE-së duhet që të largohet nga puna”.

“Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme, Mogherini, duhet që të vijë në Parlamentin Evropian dhe të raportojë për rastin e EULEX-it dhe të jetë i shoqëruar nga Shefi i Misionit të EULEX-it Gabriele Meucci; lidhur me këtë, Moghergini duhet që të sqarojë nëse spekulimet se ish shefi i EULEX-it Brochard ka qenë i në dijeni për hetimet dhe është tërhequr për nga kjo edhe përkundër që mandati i tij është zgjatur nga Catherine Ashton”.

“Unë kam kërkuar nga Komiteti për Marrëdhënie të Jashtme që të trajtojë sa më shpejtë këtë çështje; ky komitet së bashku me Komitetin për Kontroll të Buxhetit dhe Nën-Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje duhet që urgjentisht të krijojnë një grup monitorues që do ta përcjellë nga afër këtë çështje, me mundësinë që të ketë qasje në të gjitha dokumentet relevante”, thuhet në deklaratën e deputetes austriake të Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek.