Dy Ministra Të Kosovës Marrin Pjesë në Takimin e Beogradit

I pari i ekzekutivit, Hashim Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë paralajmëroi se në takimin në nivel të ministrave në Beograd, do të jenë prezent ministri Fadil Ismajli dhe Enver Hoxhaj.

Ai tha se të dy ministrat kosovarë do të jenë në cilësi të barabartë sikurse ministrat e qeverive të tjera.

Sipas Thaçit, ky takim vjen pas takimit të kryeministrave të rajonit në Berlin dhe takimit ndërministror të mbajtur në Budvë.

“Sonte dhe nesër do të mbahet takimi tjetër në Beograd ku edhe anëtaret e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht dy ministra do të jenë prezentë,  Fadil Ismajli dhe Enver Hoxhaj në cilësi të barabartë, sikurse të qeverive të shteteve të tjera”, tha ai.

Qeveria në largim, po ashtu ka miratuar Projekt-udhëzimin Administrativ për funksionim e shërbimit shëndetësor të Burgjeve, Projekt- Rregulloren për mbrojtjen e kafshëve të cilat mbahen për qëllime blegtorale dhe Propozim- Vendimin për formimin e Këshillit Ndërministror për parandalimin e Virusit Ebola në Kosovë.