Sërish Vonesa Në Rregullimin e Rrugës Në Prishtinë

Rruga “Ekrem Rexha” kishte filluar së ndërtuari në gusht të vitit 2011 dhe që atëherë procesi është zvarritur disa herë për shkak të një familjeje që refuzonte të lironte pronën nëpër të cilën planifikohet të kalojë traseja a saj.

Por më 15 gusht, Hysen Durmishi, drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës përmes një postimi në Facebook kishte njoftuar se është gjetur një zgjidhje për banorët që refuzonin të lironin pronën dhe se rrjedhimisht rruga do të ndërtohet brenda muajit.

“Të gjithë ndahen të kënaqur kur ka vullnet për zgjidhje.  Banorët (dy pleq, si rast i rëndë social ku njëri nga ta me sëmundje të rëndë) do të kenë strehim të përhershëm, ndërsa qytetarët nuk do të kenë problem me kanalizimin dhe rrugën,” kishte shkruar Durmsihi.

“Brenda një muaji do të përfundojë ndërtimi i rrugës ‘Ekrem Rexha’,” kishte thënë ai.

Rruga “Ekrem Rexha” ndodhet prapa Stadiumit të Prishtinës, dhe planifikohet të bëjë shkurtimin e rrugës për banorët në banesat kolektive të shumta që janë ndërtuar pranë objektit të ri të Komunës së Prishtinës, në Lagjen “Arbëria”.

Kjo rrugë i ka kushtuar buxhetit të komunës rreth 770 mijë euro dhe sipas njoftimit zyrtar në ueb-faqen e komunës, është planifikuar të ndërtohet “në një afat prej 120 ditësh.”

Por, dështimin për të përfunduar ndërtimin e kësaj rruge, Komuna e Prishtinës tani e arsyeton me shfaqjen e ujërave të zeza.

Dardan Sejdiu, nënkryetar i Prishtinës, ka thënë se shfaqja e këtyre ujërave ka qenë e paplanifikuar dhe për këtë arsye nuk janë ngutur që të bëjnë ndërtimin e rrugës mbi këto ujëra.

Megjithatë, ai beson se kjo rrugë përfundimisht do të ndertohet brenda një muaji.

“Kjo rrugë përfundon në vjeshtë dhe unë jam i bindur se kjo rrugë nuk shkon më larg se në gjysmën e nëntorit pa përfunduar, pra në festat e 28 Nëntorit do e kemi të përfunduar rrugën dhe kjo do të jetë një prej rrugëve që ne e përmbyllim, ndonëse me vonesa simbolike” tha Sejdiu.

“Besoj që qytetarët e Komunës së Prishtinës brenda një viti, një mandati të qeverisjes së Shpend Ahmetit dhe të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, këto projekte që kanë qenë të bllokuara me vite do të përfundohen dhe të fillojmë me projekto tona infrastrukturore, sepse ky buxhet është i trashëguar, këto projekte janë të trashëguara”, u shpreh Sejdiu.a