Amerika Armatos Nga Ajri Forcat Kurde Në Siri

Furnizimi nga ajri të dielën qe i pari i këtij lloji dhe erdhi disa javë pasi koalicioni i drejtuar nga ShBA-të filloi aksionin e bombardimeve ajrore në dhe afër Kobanit, qytet në afërsi të kufirit me Turqinë. Më herët ShBA-të thanë se lansuan 11 sulme ajrore gjatë natës në Kobani.

Në një deklaratë, Komanda Qendrore e ShBA-ve tha se ka bërë disa furnizime me armë dhe pajisje të cilat erdhën nga autoritetet kurde në Irak. Deklarata thotë se furnizimet janë bërë me qëllim që ta mundësojnë rezistencën ndaj përpjekjeve të militantëve të Shtetit Islamik për ta marrë kontrollin e plotë të Kobanit.

Duket e sigurt që furnizimet nga ajri do ta shqetësojnë qeverinë turke e cila ka thënë se do ta kundërshtojë çdo bartje të armëve nga amerikanët te rebelët kurdë në Siri. Turqia e sheh grupin më të madh të kurdëve në Siri si një zgjatim të kurdëve të Turqisë të njohur si PKK e cila ka udhëhequr një kryengritje 30 vjeçare në Turqi dhe njihet si grup terrorist nga ShBA-të dhe NATO, raporton AP.