Blindohet ambasada Shqiptare në Beograd

Policia e Beogradit vendosi forca speciale përreth ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd si pasojë e frikës për trazira nga tifozët serbë, bëri të ditur policia serbe për BIRN.

“Për shkak të ngjarjeve të fundit në lidhje me ndeshjen e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë, vlerësimi ynë është se ka një kërcënim të shtuar për sigurinë për ambasadën e Shqipërisë në Beograd,” tha një zëdhënës i policisë së Beogradit për BIRN. “Duke patur parasysh se ka një ndeshje futbolli mes Partizanit dhe Zvezdës, vlerësimi ynë është që Ambasada mund të jetë shënjestër potenciale për dhunë, kështu që ne po bëjmë gjithçka që kjo të mos ndodhë,” tha policia serbe.

Glevin Dervishi, përgjegjës për marrëdhëniet me publikun në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, deklaroi për OraNeës se ambasada shqiptare është praktikisht nën rrethim nga forcat e sigurisë të Serbisë.

Tensioni është i lartë aktualisht mes Serbisë dhe Shqipërisë si pasojë e trazirave në ndeshjen e futbollit Serbi – Shqipëri e vlefshme për fazën kualifikuese të kampionatit Europian të Futbollit 2016.

Pasi ndeshja u ndërpre në minutën e 41, politikanët serbë dhe ata shqiptarë kanë shkëmbyer kritika dhe sharje, ndërsa në Serbi gjatë ditëve të fundit bandat e huliganëve shënjestruan disa biznese shqiptarësh duke i vënë flakën.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka njoftuar se do të vizitojë Beogradin javën që vjen, ndërsa kryeministri i Serbisë Aleksandar Vucic deklaroi se do të mendohet në fundjavë nëse do ta presë kryeministrin shqiptar apo jo.