Lorik Cana: Kanuni Na Thotë Ta Presim Si Duhet Serbinë Në Shqipëri

Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Jeta në Kosovë” e cila transmetohet sonte në RTK prej orës 21:00 , kosovari me pasaportë shqiptare, thotë se ishte i sigurt që ndeshja do të shkojë drejt fundit, pavarësisht tensioneve që e përcollën këtë përballje që para ndeshjes.

I kthyer në Romë pas përjetimit që pati në Beograd, Cana tregon shenjat që ka marrë në një gisht të dorës. Thotë se këtë e ka nga tifozi të cilin e zaptoi pasi ai e sulmoi me karrige bashkëlojtarin e tij, Bekim Balaj, në momentin kur eskaloi situata.

“Ai tifozi i famshëm ma ka kafshu gishtin, donte të ma këpuste. Kam edhe një shenjë tjetër në një gisht tjetër por, të them të drejtën, nuk e di si e kam bërë”, thotë Cana në intervistën e dhënë përmes Skype.

Ai thotë se ekipi shqiptar nuk ka qenë në dijeni se çka mbante fluturakja e cila krijoi kaosin në stadium.

“Në fillim, nuk u kuptua mirë çka ishte. Kur u kuptua, ishte një acarim dhe nervozizëm nga tifozëria serbe”, thotë Cana.

Sipas tij, kur lojtari serb Mitroviq e kapi flamurin, lojtarët shqiptarë shkuan dhe e morën atë në mënyrë që “mos t’i ndodhë ndonjë gjë”.

“Qëllimi ishte që ta largojmë atë nga fusha”.

Cana thotë se mund të ndodhë që qëllimi i Mitroviq të ketë qenë edhe dorëzimi i flamurit te zyrtarët e UEFA-s anash fushës.

“Është e mundur, pse jo! Por ai flamur është i yni dhe ne duhet ta marrim e ta largojmë nga fusha. Është absolutisht e drejta jonë”, thotë ai.

Sipas Canës, për tërë këtë, faji nuk është i shqiptarëve.

“Faji nuk mund t’i lihet federatës tonë. Biletat që i janë dhënë federatës tonë, janë kthyer për shkak të kushteve që na janë vënë. Pra një faj i tillë nuk mund t’i hedhet federatës tonë”.

“Një diçka e tillë mund të vijë nga brenda, nga jashtë stadiumit, nga pala tjetër, nga jashtëtokësorët..n nuk mund ta dish se kush e ka bërë atë. Është absurde nga ana e serbëve”, tha ai.


Lorik Cana | Foto: facebook 

Cana e vlerëson si absurd faktin që në vitin 2014, duhet të shkohet për të luajtur në një vend fqinj pa pasur të drejtë që ta kesh tifozërinë me vete.

Por thotë se nuk i ka munguar simboli kombëtar.

“Ne e mbajmë simbolin kombëtar me vete. E kemi në fanelë dhe për atë luajmë prej fillimit deri në fund duke dhënë gjithçka brenda vetes”, u shpreh ai, duke komentuar deklaratat e zyrtarëve serbë pas ndeshjes, Cana thotë se ato janë qesharake.

Ndërsa e mbron reagimin e tij ndaj një tifozi serb.

“Kur jemi ne, jemi bashkë. Jemi një trup, një njeri, një përfaqësuese, një komb”, thotë ai.

Cana thotë se për mënyrën se si eskaloi situata, nuk ka pasur vend që ajo të tejkalohet “me dialog”.

“Nuk besoj që ata njerëz që janë futur në fushë e kanë vendin brenda fushës për ta dhunuar një përfaqësuese të një vendi. Ata nuk kanë qenë aty për dialog”, tha Cana.

“Personat që janë futur në fushë, mund të ishin futur edhe me gjë tjetër, e jo veç me karrige. Zoti na ruajt, mund të ishin futur me thikë ose me diçka shumë më të rrezikshme”, u shpreh Cana.

Ndeshja e papërfunduar në Beograd tani i lë radhën ndeshjes së planifikuar pas një viti ndërmjet Shqipërisë e Serbisë në Shqipëri.

Cana thotë se mund të ndodh që UEFA të mos e lejojë zhvillimin e saj në Shqipëri.

Por shprehet se pala shqiptare do ta gjejë zgjidhjen për ta siguruar atë ndeshje.

Ai thotë se tifozëria shqiptare nuk ka bërë asnjëherë probleme në fushë dhe jashtë saj, si në ndeshjet e luajtur si vendas ashtu edhe si mysafir.

“Tifozëria e kombëtares sonë, si në shtëpi si jashtë ka pasur sjellje shembullore… Serbia ka pasur gjithmonë probleme me tifozërinë  e saj”, thotë Cana.

“Në Kanunin tonë të Lekë Dukagjinit e kemi që kur e presim një mik brenda shtëpisë, ai është i sigurt qind për qind”, u shpreh ai.