Haradinaj: Presidentja Nuk Mund të Vendosë Për Zgjedhje Të Reja

Ideja për zgjedhje të reja është përmendur edhe nga vetë Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, gjatë takimeve konsultative me liderët e partive politike, por për të kandiduari e bllokut paszgjedhor LDK-AAK- NISMA për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk është punë e Presidentes të flasë për zgjedhje të reja.

“Presidentja mund të vendos për vete, por jo për zgjedhje”, tha Haradinaj pas takimit të sotëm të liderëve të bllokut, në të cilin ka marrë pjesë edhe Albin Kurti i Vetëvendosjes.

“Kemi shumicë parlamentare. Zgjedhjet do të vinin në shprehje nëse do të kishim shumë grupe parlamentare e askush nuk do ta përbënte shumicën”, nënvizoi Ramush Haradinaj.

Partia e Kurtit i është bashkuar këtij blloku muajin e kaluar duke formuar një front të përbashkët politik kundër PDK-së në Kuvend.

Por pavarësisht numrave që ka, blloku nuk po arrin ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit.

Haradinaj për këtë e fajëson Hashim Thaçin dhe kryesuesen e seancës konstituive, Flora Brovina, e cila gjithashtu vjen nga PDK.

“Zonja Brovina dhe Hashim Thaçi po e mbajnë peng Kosovën. Flora Brovina nuk po e thërret seancën me arsyetimin se duhet të arrihet një marrëveshje”, tha Haradinaj.

“PDK po e qeveris vendin me 37 vota. Me këtë ata po vazhdojnë ta mbajnë vendin peng duke mos i lëshuar rrugë krijimit të institucioneve nga shumica parlamentare në Kuvend”, u shpreh kreu i AAK-së.