Nis Seanca e Masës së Sigurisë për Mjekët dhe Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë

Sot kanë dalë para gjyqtarit në seancën e caktimit të masës së sigurisë personat e arrestuar gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në ditën e djeshme.

Dje në orët e mëngjesit Policia e Kosovës, zhvilloi një operacion gjatë të cilit arrestoi disa zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe mjekë, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare.

Njësiti për Krime Ekonomike arrestoi nëntë persona në Prishtinë dhe në Pejë. Prej këtyre personave, disa janë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe disa të tjerë janë mjekë.

Ky operacion vjen pas autorizimit të Njësiti për Krime Ekonomike të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, lidhur me këtë rast, në qershor të vitit 2014, ka nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve kundër nëntë të dyshuarave me iniciale : G.Sh., F.A., L.B., B.P., A.H., A.B., N.Z., D.G., Nj.G., E. M., M.A. dhe R.E.

Lidhur me arrestimet e djeshme u deklarua edhe zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë.

“Prokuroria e Shtetit ka kërkuar që disa zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë të intervistohen për çështje rreth të cilave ata do të informohen gjatë intervistimit nga ky organ”, tha Faik Hoti.

Ai konfirmoi se edhe ministri Ferid Agani dhe sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie Gani Shabani, janë ftuar nga prokuroria për t’u marrë në pyetje.