Albin Kurti: PDK e Lëshonte Seancën Edhe Kur Ishte në Pozitë

Deklarata e cila është lexuar nga deputetja Vjosa Osmani thotë:

Ne deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që përfaqësojmë shumicën parlamentare dhe vullnetin e shumicës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, të shqetësuar me situatën politike në vend të krijuar nga bllokada institucionale e pakicës parlamentare, përfshirë ndërprerjen dhe shtyrjen arbitrare të seancave nga kryesuesja e seancës, zonja Brovina, në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit;

Duke kuptuar rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit 2014,

Të vetëdijshëm se bllokada institucionale e krijuar nga pakica parlamentare ka pasoja të drejtpërdrejta në mosfunksionimin e institucioneve të pavarura e të mbikëqyrura nga Kuvendi,

Duke pasur parasysh praktikat më të mira evropiane rreth rolit të shumicës parlamentare në krijimin e institucioneve,

Në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese i cili thekson se është e drejtë dhe detyrë e Kuvendit që të gjejnë zgjidhje për konstituimin e Kuvendit,

Të Vetëdijshëm për sfidat që e presin Kosovën dhe institucionet e saj të cilat u evidentuan edhe në Raportin e Progresit të publikuar më 9 tetor,

Duke ritheksuar se deputetët kanë mandat të lirë, jodetyrues dhe të pakushtëzuar dhe kanë obligim të përfaqësojnë interesat e qytetarëve të Kosovës,

Duke kërkuar marrje të përgjegjësive nga institucionet përgjegjëse që të japin sqarimet e nevojshme kushtetuese për situatën e krijuar kur propozimi i PDK-së për kryetar të Kuvendit nuk e merr shumicën e nevojshme të votave të deputetëve,

Angazhohemi për:

1: Konstituim sa më të shpejtë të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që t’i hapet rruga krijimit të qeverisë së re duke respektuar parimet themelore të demokracisë parlamentare; dhe

2: Zgjidhje për konstituimin e Kuvendit në përputhje me vullnetin e shumicës parlamentare e cila kërkohet në Kushtetutën e Kosovës për zgjedhjen e organeve të Kuvendit.

11:29

Për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk është e befasishme që deputetët e PDK-së nuk janë të pranishëm sot në seancën e Kuvendit.

“Deputetët e PDK-së e lëshonin sallën edhe kur ishin në pozite e lëre më tash që po del në opozitë”, tha Kurti.

“Me këtë sjellje, ata po na mësojnë atë që e dimë se pushteti është kapur nga PDK”, u shpreh ai.

Kurti ka akuzuar edhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, duke thënë se ai “është shumë cinik për të qenë gjykatës”.

Ai ka kritikuar edhe Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, për mungesë veprimi në zgjidhjen e krizës politike.

10:53

Deputetja nga AAK, Donika Kadaj- Bujupi, e ka quajtur si “mentalitet diktatorial” këmbënguljen për t’i bllokuar institucionet e vendit.

Ajo ka thënë se edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese e vështirëson gjetjen e një zgjidhjeje pasi që “ka aq shumë dualizmi”.

“Në demokracinë parlamentare është shumica e vetmja force e cila mund t’i themelojë institucionet”, tha Kadaj- Bujupi.

10:44

Ndërsa deputetja Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën, tha se partitë të cilat nuk po i sjellin deputetët në Kuvend, por i “përbuzin qytetarët dhe institucionet e vendit”.

Deputeti nga Vetëvendosje, Visar Ymeri, gjatë seancës së sotme u shpreh se situata në të cilën ndodhet Kosova është mjaft e qartë.

“Në njërën anë e kemi shumicën parlamentare dhe në anën tjetër e kemi pakicën e cila po pengon ne themelimin e institucioneve”, tha Ymeri.

“Vazhdimi i seancës se Kuvendit po nëpërkëmbet nga bojkotuesit pakicë. Ne nuk do te lejojmë që institucionet e vendit të lihen peng nga një pakicë”, u shpreh ai.

“Është detyrë e deputetëve që ta zhbllokojnë themelimin e institucioneve”, tha Ymeri.

Teuta Rugova Hap Seancën

10:35

Deputetja nga LDK, Vjosa Osmani, tha se në seancën e sotme, përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës si shumicë janë mbledhur për të shprehur qëndrimet për të gjetur zgjidhje për formimin e institucioneve.

Osmani tha se zgjidhja i takon vullnetit të lirë të njerëzve e jo “vullnetit detyrues”.

“Ne u kemi bërë thirrje të gjithë deputetëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre partiake, për të ardhur këtu që të gjejmë një zgjidhje, por pakica parlamentare nuk po vjen”, tha ajo.

“Ne vazhdimisht kemi kërkuar qe Kosova, pas 15 viteve të fillojë të trajtohet si një shtet normal e jo demokracia të jetë e shkruar vetëm në letër”, u shpreh Osmani.

Ajo e ftoi PDK-në që të vijë në Kuvend për të debatuar në përpjekje për ta gjetur zgjidhjen ndaj krizës.

10:24

Deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës, Teuta Rugova, ka hapur seancën e thirrur nga deputetët e bllokut politik LDK, Vetëvendosje, AAK, NISMA.

Në fillim, Rugova ka shpjeguar arsyet pse janë mbledhur deputetët si dhe ka përshkruar ecurinë e ndërprerjes së seancave të Kuvendit për shkak të mospajtimeve p-ër zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe kryesisë.

Seanca e Bllokut Injorohet nga Sekretaria e Kuvendit

09:37

Deputetët e bllokut paszgjedhor LDK-VV-AAK-NISMA kanë filluar të hyjnë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës që para orës 9.30, në ditën kur ata kanë thirrur vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, të filluar që më 17 korrik.

I pari nga deputetët është parë të ketë hyrë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa pas tij kanë hyrë edhe deputetë të tjerë.

Seanca e sotme nuk është thirrur zyrtarisht nga kryesuesja e saj, Flora Brovina, ndërsa deputetët e PDK-së kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në të.

Gjithashtu edhe sekretaria e Kuvendit duket se e ka injoruar thirrjen e 62 deputetëve për seancë pasi që në ueb-faqen e Kuvendit nuk ka asnjë njoftim për seancën e sotme.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë dje se seanca e sotme do të jetë vetëm për debat dhe nuk pritet që deputetët të marrin ndonjë hap për ta zgjedhur kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit.