Të Akuzuarit për Vrasje nuk Duan të Gjykohen nga Vendorët

Kryetarja e trupit gjykues mori vendim që lënda t’i dërgohet kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës që të vendosë lidhur me këtë kërkesë të të akuzuarve dhe seanca u shty në afat të pacaktuar.

Mustafë e Flamur Krasniqi akuzohen për vrasjen e A. Sekiraqës dhe plagosjen e dy personave tjerë nga Mazgiti i Obiliqit në nëntorin e vitit 2012, për shkak të një kontesti pronësor.

Lënda i ishte dorëzuar për shqyrtim Misionit Evropian për Sundim të Ligjit, por EULEX-i me një vendim me shkrim e ktheu atë te gjyqtarët vendorë.

Kjo nuk i pëlqeu të akuzuarit Flamur Krasniqi që tha në seancë se këtë çështje penale nuk pranon ta gjykojnë gjyqtarët vendas.

Më pas avokati i këtij të akuzuari kërkoi të konsultohej me klientin e tij, për çka kryetarja e trupit gjykues dha pesë minuta pushim.

Pas konsultave i akuzuari nuk e ndryshoi qëndrimin, duke qenë kategorik që i beson vetëm gjykimit nga gjyqtarë të EULEX-it.

Edhe Mustafë Krasniqi deklaroi se që 23 muaj jemi në burg dhe nuk keni bazë ligjore që na mbani aty.

Një ditë pasi u vra A.Sekiraqa, Mustafë e Flamur Krasniqi ishin dorëzuar në polici. Nga atëherë ndodhen në paraburgim.

Në janarin e vitit 2014, një pesëmbëdhjetëvjeçar u vra në oborrin e Shkollës Fillore “Emin Duraku” në Prishtinë. I mituri i vrarë ishte nga familja e Mustafë dhe Flamur Krasniqit.

Mediet e lidhën familjen Sekiraqa me këtë krim, por kjo familje atëherë mohoi se ka kryer këtë vrasje.