Dyshime Për Një Varr Masiv të Serbëve në Kosovë

Prokuroria serbe e krimeve të luftës dhe misioni i BE për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, kanë informacion se serbët e vrarë nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një kamp paraburgimi në Likovc gjatë luftës mund të jenë varrosur në një varr masiv, tha prokuroria të hënën.

“Prokuroria serbe e krimeve të luftës në bashkëpunim me njësinë e hetimit të krimeve të luftës së prokurorisë së EULEX kanë informacion rreth vendndodhjes së një varri masiv të mundshëm në fshatin Piskota në komunën Gjakovë, ku janë varrosur eshtrat e civilëve serbë të vrarë gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë nga 1998-99” tha prokuroria në një deklaratë.

Deklarata citonte se prokurorët e EULEX kanë urdhëruar zhvarrosjen, autopsinë dhe identifikimin e eshtrave të mundshme në zonë.

Krimet kundër të burgosurve të mbajtur në qendrën e paraburgimit Likovc janë pjesë e aktakuzës në gjyqin që është në vazhdim të disa ish-zyrtarëve të lartë të UÇK-së, përfshirë Sylejman Selimin, ish-ambasadorin e Prishtinës në Tiranë po ashtu edhe komandant i forcave të sigurisë, dhe Sami Lushtakun, kryebashkiak i qytetit Skenderaj në Kosovë.

Megjithatë ish-guerilasit, e njohur si grupi i Drenicës, akuzohen vetëm për krime lufte mbi të burgosurit shqiptarë të Kosovës. Ata i kanë mohuar akuzat.

Më herët, Selimi dhe tre luftëtarë të UÇK u liruan nga akuzat për abuzim në kampin e Likovcit.