LVAN-i Lut Presidenten Ta Shohë Zgjidhjen Te Shumica Parlamentare

Pasi liderët e bllokut LVAN dolën nga takimi me presidenten Atifete Jahjaga, përfunduan takimet te e para e shtetit për sot. Para gazetarëve për atë që u bisedua foli vetëm Isa Mustafa, ndërsa Presidenca do ta lëshojë një komunikatë.

Mustafa njoftoi se bashkë me krerët tjerë të subjekteve të Bllokut, Albin Kurtin, Ramush haradinajn e Fatmir Limajn ia shpjeguan presidentes pozicionet e tyre.

“Vlerësojmë se kjo gjendje mund të përballohet dhe mund të zgjidhet vetëm në Kuvend, sepse kemi të bëjmë me një sistem parlamentar, i cili e respekton shumicën dhe do ta respektojmë votën e shumicës në Kuvend”, tha Mustafa.

Pyetjes nëse presidentja ka plan për dalje nga kriza politike e vendit, Mustafa iu përgjigj me fjalët për orientimet e LVAN-it.

Nuk kemi plane konkrete, presidentja kërkon sugjerimet tona. Ne i kemi këto orientime të cilat janë deri më sot, i kemi paraqitur për publikun dhe nuk kemi arsye ndryshimin e qëndrimit”, shtoi Mustafa.

Ai bëri me dije se blloku dhe VV-ja i kanë kërkuar presidentes që të bëhet pjesë e zgjidhjes që ata ofrojnë.

“E lutëm edhe presidenten që ajo të bëhet pjesë e kësaj zgjidhjeje, në mënyrë që të respektohen kriteret themelore dhe ky kriter themelor është shumica e deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.

Jahjaga nuk foli para medieve, por Presidenca pritet ta lëshojë një komunikatë nga takimet e sotme.

12:55

Përfundon Takimi i Presidentes me PDK-në, Fillon Takimi me LVAN

Pas takimit me presidenten Atifete Jahjaga, e cila në orën 12 priti Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, ky i fundit tha se ekziston një vullnet i mirë për të dal nga ngërçi politik.

“Besojmë shumë se vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës në të njëjtën kohë edhe ligjet përkatësisht kushtetuta e vendit duhet të respektohen”, tha ai para mediave.

Sipas tij një zgjidhje duhet të gjendet meqë klasa politike ka shumë obligime para qytetarëve.

Takimi i liderëve të PDK-së me Presidenten është mbajtur në vazhdën e përpjekjeve për zgjidhjen e ngërçit politik të shkaktuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit dhe dështimit të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës në dy seanca.

Pak kohë pas largimit të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, te Presidentja janë futur liderët e koalicionit LVAN, Isa Mustafa, Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.