Vazhdon Gjykimi i Dy ish-Ministrave për Filmat e Pakryer

Ministria kishte përkrahur me para publike filmat “Mysafir në sofër” dhe “Ndjekja e Larës” me 570.000 euro. Ata nuk janë shfaqur asnjëherë.

Të hënën në gjykatore dëshmoi Kimete Berisha, zyrtare në Ministrinë e Kulturës, edhe pse avokatët e katër të akuzuarve thanë se nuk janë të përgatitur dhe kërkuan që ajo të dëshmojë në ndonjë seancë tjetër.

Trupi gjykues refuzoi kërkesën e avokatëve, ndërsa dëshmitarja tha se do t’i qëndroj besnike deklaratës në prokurori të dhënë para prokurores Drita Hajdari.

Në këtë rast gjyqësor ministrat e Kulturës Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri po akuzohen për shpërdorim detyre dhe të autorizimit, ndërsa producentët filmikë Armond Morina e Nehat Fejza për mashtrim në detyrë.

Haraqija që drejtoi këtë ministri në vitet 2004-2007, më 27 shkurt 2006 kishte nënshkruar kontratë me Nehat Fejzën, pronar i kompanisë “Concordia Pictures”, në vlerë prej 220 000 eurosh.

Ky ministër më 30 janar 2007 nënshkroi një kontratë tjetër me Armond Morinën, pronar i kompanisë “Morina Films”, në vlerë prej 350 000 eurosh.

Kontratat lidheshin me filmat “Ndjekja e Larës” dhe “Mysafir në sofër”. Producent i të parit ishte Nehat Fejza, ndërsa i të dytit Armond Morina.

Valton Beqiri që drejtoi ministrinë nga 2008-ta deri në 2010-ën, kishte nënshkruar aneks kontratën me “Morina Films”, duke transferuar 100 000 euro si subvencione për realizimin e filmit “Mysafir në Sofër”

Sipas aktakuzës së prokurorisë, ministria nënshkroi kontrata për këta filma në vlerën e 570.000 euro në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe atë për Kinematografinë.

Këtë e konfirmoi edhe dëshmitarja Kimete Berisha.

Teksa tregoi se në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve punon që nga viti 2004, Berisha deklaroi se lënda për filmin “Mysafir në sofër”, ka ardhur e pakompletuar, ndërsa sipas saj dhe aktakuzës atë e ka nënshkruar Alberta Troni, drejtoreshë në Departamentin e Kulturës të MKRS-së.

“Lënda kur ka ardhur për procedim nuk ka ardhur e kompletuar. Aty ka munguar autorizimi i ministrit. Alberta Troni ka thënë se autorizimi ekziston nga një email i ministrit, por ai nuk ka qenë i protokoluar”, tha dëshmitarja.

Ajo përmendi edhe shkelje gjatë përzgjedhjes së këtij filmi.

“Vërejtja e dytë ka qenë skenari i filmit, i cili është dashur të shqyrtohet nga bordi që duhet ta formonte ministri, në mungesë të Bordit në Qendrën Kinematografike që ka qenë në formim”, vijoi dëshminë Kimete Berisha.

Ajo shtoi se në përzgjedhjen e  këtij filmi për financim ishte përzier politika.

“Për filmat nuk guxon me vendos politika apo një person, por është dashtë me u formua një bord. Ka pasë edhe filma tjerë që kanë konkurru, po rrallë kanë ardhë në shprehje . Unë mendoj se kanë qenë vendime politike”, deklaroi Berisha.

Ajo bëri me dije se flitej që Armond Morina ka një milion euro për filmin e tij, por po i duheshin edhe para shtesë, ndërsa tregoi se Morina asnjëherë nuk e vërtetoi se i ka ato para.

“Është folur se Armond Morina ka një milion euro, por po i duhen edhe 350 mijë euro. Ne kemi kërkuar nga Armond Morina ta dëshmojë këtë me një fletëdëshmi nga banka, por nuk ka ardhur asnjëherë ky vërtetim”, tha dëshmitarja.

Në fillim të seancës Teki Bokshi, avokat i Astrit Haraqisë kërkoi ekspertizë financiare për paratë e dhëna për këta filma, duke propozuar që dëshminë e tillë ta bëjë Riza Blakaj.

Ai gjithashtu propozoi që gjitha deshimitë e marra janë të papranueshme sipas Kodit të Procedurës Penale tani në fuqi pasi  që sipas tij ky kod duhet të zbatohet ngase është më i favorshëm për pandehurit. Këtë propozim e përkrahën edhe mbrojtësit tjerë.

Prokurori i kundërshtoi në tërësi propozimet e mbrojtësve duke i cilësuar ato prolongim të shqyrtimit gjyqësor. Ai tha se veprimet procedurale janë marrë sipas kodit që ka qenë në fuqi dhe është bërë konfirmimi i aktakuzës, ndërsa veprat janë ricilësuar me kodin e ri.

Konfirmimi i aktakuzës në këtë rast u bë gjatë vitit 2012, kur ende nuk ishin ristrukturuar gjykatat dhe prokuroritë. Ristrukturimi dhe Kodi i Ri Penal hynë në fuqi nga 1 janari i 2013-ës.

Seanca do të vazhdojë më 5 nëntor.