Jahjaga Merr Mbështetje Nga Uashingtoni Për Zhbllokimin e Kuvendit Dhe Qeverisë

Këtë qëndrim, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka marrë nga Ndihmëssekretarja Amerikane e Shtetit për Evropë dhe Azi, Victoria Nuland, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Presidentes pas këtij takimi të mbajtur në Nju Jork thuhet se Nuland i ka dhënë mbështetje Preisdentes së Kosovës në përpjekjet e saj që “me liderët e partive politike të Kosovës të gjejë mënyrën për të ecur përpara në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.

Nuland gjithashtu thuhet të jetë shprehur se SHBA-të mirëpresin vazhdimin e një marrëdhënieje të afërt me Kosovën e përkushtuar ndaj rendit dhe ligjit, dialogut me Serbinë dhe të ardhmes euroatlantike.

Nga ana e saj, Presidentja Jahjaga ka theksuar rëndësinë që zgjidhja e ngërçit politik të bëhet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilëve u është besuar vota e qytetarëve për t’i çuar përpara proceset e rëndësishme në Kosovë dhe për t’i kryer me përgjegjësi misionin dhe obligimet që Kosova ka marrë përsipër.

Presidentja Jahjaga, duke shquar fillimin e konsultimeve me partitë politike parlamentare të Republikës të Kosovës, e theksoi rolin e saj në këtë proces si faktor i unitetit dhe garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve për ndihmën në gjetjen e formulës së përshtatshme politike që do t’i hapte rrugë krijimit të institucioneve, thuhet në komunikatë.