Shefja e Mjekëve në Liberi Futet në Karantinë Shkaku i Ebolas

Bernice Dahn, zëvendësministre e Shëndetësise, tha se nuk ka simptome të sëmundjes vdekjeprurëse, por dëshironte t’i merrte të gjitha masat parandaluese.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se më shuëm se 3 mijë njerëz kanë vdekur nga Ebola në Afrikën Perëndimore.

Liberia është goditur më së shumti nga kjo sëmundje me 1830 të vdekur, prej tyre 150 vetëm në dy ditët e fundit.

Disa punëtorë shëndetësorë kanë qenë të prekur nga ky virus i cili shpërndahet nga lëngjet e trupit të pacientëve.

Organizatat shëndetësore rekomandojnë izolimin e njerëzve për të paktën 21 ditë, kohë e cila është maksimumi i periudhës së inkubacionit për virusin.

Dahn i tha BBC-së të shtunën se ajo vetë ka vendosur që të hyjë në karantinë dhe dëshironte t’i bindej rregullit.

Ajo tha se nuk ka pasur kontakt me ndonjë nga të sëmurët, përvec një asistenteje të zyrës e cila vdiq këtë javë, por se dëshironte t’i merrte të gjitha masat e kujdesit.

Dahn, e cila ka përfaqësuar Liberinë në konferencën ndërkombëtare kundër Ebolas, gjithashtu ka udhëzuar edhe stafin e saj që të qëndrojë në shtëpi gjatë periudhës së njëjtë.