Shitësit e Arkave Kundërshtojnë Naftëtarët

Përfaqësues të kompanive që merren me shitjen e arkave fiskale i kanë vlerësuar deklarimet e drejtuesve të shoqatës së naftëtarëve si veprime që kërkojnë shmangien nga tatimi.

Përfaqësuesit e katër kompanive që shesin arka fiskale “Gekos”, “Printec”, “Dukagjini” dhe “R&T”, në një konferencë të mbajtur në Odën Ekonomike të Kosovës e kanë mohuar monopolin në tregun e fiskalizimit.  Sipas tyre edhe çmimet, për të cilat janë ankuar naftëtarët janë të arsyeshme.

Shoqata e naftëtarëve të Kosovë në një takim të mbajtur të premten me 19 shtator, pati marrë vendim që të dorëzojë në EULEX kërkesën për nisjen e hetimeve lidhur me mënyrën e krijimit të monopolit në treg.

“Kjo kompani (Gekos) bashkë me ATK-në po bën presion tek ne për vendosje të arkave. Pra i bëjmë thirrje EULEX-it ta hetojë këtë rast”, pati thënë javën e kaluar Ramadan Maloku, përfaqësues i kompanisë “Racional”.

Por në takimin e sotëm, Kestrin Kumnova nga Kompania “Gekos”, deklarimet e naftëtarëve i quajti  forma të presionit që po përdor ky grup i naftëtarëve kundër operatorëve të licencuar.

“Ky grup përmes kryetarit Fadil Berianit e kundërshtojnë fiskalizimin për interesa të caktuara”, tha Kumnova.

Fiskalizimi në Kosovë ka filluar në vitin 2010, derisa më vonë qeveria vendosi që pikat e shitjes së derivateve të marrin arkat speciale. Edhe përkundër që vendosja e arkave speciale pati filluar në vitin 2012, ajo ende nuk ka përfunduar.

Administrata Tatimore e Kosovës tha në një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë se ende nuk janë pajisur edhe 117 pika të shitjes së karburanteve që janë në pronësi të tatimpaguesve të mëdhenj, nga 181 sa janë gjithsejtë.

“Kurse vetëm 64 prej tyre janë  pajisur me arkë fiskale të paraparë për karburante”, tha Valentina Bytyqi-Sefa, zyrtare informimi në ATK.

Fadil Beriani nga Shoqata e Naftëtarëve dhe pronar i “Dilloni Benz-it”, tha javën e kaluar se janë pro fiskalizimit, por jo me çmimet që ofrohen në treg.

“Përderisa të mos hapet tregu për kompanitë e reja dhe të bëhet monopoli, nuk do të marrim arkat, pasi janë shumë të shtrenjta deri në 20 mijë euro mund të kushtojë”, tha Beriani në takimin e javës së kaluar.

Në takimin e zhvilluar sot në Odën Ekonomike të Kosovës u tha se nuk qëndrojnë pretendimet e naftëtarëve se ka monopol në treg, pasi që për arka speciale janë të certifikuara pajisjet e kompanive “Gekos” dhe “Printec”. 

Fisnik Mahmutaj, përfaqësues i Kompanisë “Printec”, tha se kjo kompani ka bërë fiskalizimin e disa kompanive të mëdha.  

“Ne kemi bërë fiskalizimin e ‘Hib Petrolit’, ‘Petrol Kompanisë’ edhe ‘Spahia Petrolit’ që janë ndër kompanitë e mëdha të derivateve. Qëndrimi i naftëtarëve se në treg është vetëm ‘Gekos’ është qesharak”, tha ai.

Sa u përket çmimeve, dy kompanitë e certifikuara për arkat speciale i kanë arsyetuar ato.

Sipas Besim Gjikollit çmimet në kompaninë ‘Gekos’ fillojnë nga 5 mijë euro për dy dispanzerë.

“Për të dalë çmimi final, duhen me u kalkulu të gjitha proceset dhe kriteret që kemi kaluar ne”, tha ai.

Gjikolli tha se është dashur të rregullohen dhe përshtaten karakteristikat e arkës dhe dispanzerëve për shkak edhe të vjetërsisë së tyre.

E çmimi i kompanisë “Printec” del te jetë me i lartë sesa i “Gekosit”.

“Çmimi i kompanisë ‘Printec’ është 6 mije e 583 euro, përfshi TVSh-në për dy dispanzerë”, tha Fisnik Mahmutaj.