Refugjatët Sirianë Vërshojnë Turqinë

Ata janë larguar pas avancimit të militantëve të “Shtetit Islamik”.

Nurman Kurtulmus tha se numri i tyre mund të rritet edhe më shumë, por insistoi se Turqia është e gatshme që të reagojë ndaj “skenarit më të keq”.

“Shpresoj që të mos përballemi me valë të re refugjatësh, por nëse kjo ndodh, ne kemi marrë masa paraprake”, tha zëvendëskryeministri Kurtulmus.

“Një valë e re refugjatësh me qindra mijëra mund të ndodhë”, u shpreh ai.

Refugjatët i janë drejtuar Turqisë që nga e enjtja, në përpjekje për të shpëtuar nga ofensiva e “Shtetit Islamik” e cila e ka zhvendosur konfliktin deri në afërsi të kufirit me Turqinë. Konflikti në Siri ka shtyrë më shumë se 1 milion njerëz përtej kufirit gjatë më shumë se tre vjetëve të krizës.

“Kjo nuk është katastrofë natyrore… Ajo me të cilën po përballemi është katastrofë njerëzore”, tha Kurtulmus.

“Ne nuk e dimë se sa fshatra mund të sulmohen, sa njerëz mund të detyrohen të kërkojnë strehë si refugjatë. Nuk e dimë”, shtoi ai.

Përderisa vala e refugjatëve po vazhdon, Turqia të dielën mbylli vendkalimin kufitar në Kucuk Kendirciler për kurdët turq si një masë për t’i parandaluar ata që t’u bashkohen luftimeve në Siri. Një ditë më parë, qindra luftëtarë kurdë kishin kaluar në territorin e Sirisë përmes fshatrave turke, sipas një agjencie siriane për të drejtat e njeriut me seli në Britani të Madhe.