Gazetarët Nuk Lejohen Ta Përcjellin Seancën nga Salla

10:06

Administrata e Kuvendit ka vendosur që t’i nxjerrë gazetarët jashtë vendit të rezervuar për ta dhe për mysafirët në pjesën e prapme të sallës ku do të mbahet seanca konstituive.

Zyrtarë të Kuvendit, para pak minutash, kanë përzënë gazetarët nga ai vend, duke lënë aty vetëm kameramanët.

Gazetarëve u është thënë se seancën mund ta përcjellin nga televizori, i vendosur në një vend tjetër në ndërtesë.

09:53

Ulëset e Qendrës i Mbesin PDK-së

Kur kanë mbetur pak minuta para se të nisë vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në sallën e Kuvendit mund të shihen pak deputetë.

Në fotografinë e dërguar nga gazetarja e KALLXO.com shihet një grup deputetësh të grupit LDK-AAK-NISMA të cilët kanë zënë të parët ulëset e tyre në sallë.

Sado që e kanë gjetur sallën bosh, ata kanë zënë ulëset ku kanë qenë edhe seancën e kaluar, duke ia lënë karriget në qendër të sallës deputetëve të grupit parlamentar të PDK-së.

09:41

Ambasadorja Jacobson Mbërrin në Kuvend

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson, ka mbërritur në ndërtesën e Kuvendit për ta përcjellë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, e cila filloi para dy muajsh, më 17 korrik.

Ajo ka zënë vend në pjesën e prapme të sallës së Kuvendit, të rezervuar për mysafirët dhe kamerat.

Në sallë tashmë kanë filluar të vijnë edhe deputetët të cilët sot e kanë në rend të ditës një pikë të vetme- zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit.

Edhe ambasadorë të tjerë kanë ardhur në ndërtesën e Kuvendit.