Shteti e Mbyll me Grila Kishën Ortodokse

Punëtorë të një kompanie nga Podujeva të mërkurën qysh në mëngjes kanë nisur vendosjen e grilave dhe pastrimin e hapësirës në njërin prej objekteve më të diskutueshëm në kryeqytet, Kishës “Sveti Nikola” që kishte filluar të ndërtohej në vitet ’90 në afërsi të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. 

E lënë në gjysmë në vitin 1998 kur shpërtheu lufta në Kosovë, kisha e braktisur dhe e rrethuar me tela e gjemba, nga e mërkura është mbyllur me grila nëpër secilën hyrje dhe dritare të objektit dhe është bërë pastrimi i saj.

Këto veprime janë ndërmarrë me vendim të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, ministri i së cilës Dardan Gashi kishte ringjallur debat të ashpër kur më herët gjatë këtij viti kishte përmendur mundësinë e  shkatërrimit të kishës.  

Nga fjalët e Gashit ishin nervozuar autoritetet kishtare dhe ato qeveritare në Serbi që kishin kundërshtuar këtë vendim, teksa Komuna e Prishtinës edhe pse e kishte cilësuar ndërtimin e kësaj kishe si “çështje politike” mendonte ta zgjidhte ndryshe problemin e objektit të kishës në tokë të universitetit.  

Kryetari Shpend Ahmeti kishte premtuar trajtim të barabartë të këtij objekti me objektet e tjera pa leje. 

Në ndërkohë Universiteti i Prishtinës ka ngritur një padi në Gjykatë për aspektin pronësor, për shkak se ajo kishë është ndërtuar në pronën e kompleksit universitar. 

Punëtorët e kompanisë “Loni” që për pastrimin dhe vendosjen e grilave në dritaret dhe dyert e jashtme të objektit të kishës kanë fituar tender prej afro 5 mijë eurosh  të dhënë në fund të muajit të kaluar, thanë se vetëm po kryejnë një punë për të cilën janë paguar. 

“Ne kemi fituar tenderin për me i qit këto grila nëpër krejt hyrjet dhe dritaret dhe më pas edhe pastrimin e ambientit brenda dhe kaq. Në ministri dinë ma shumë”, tha një punëtor që tha të quhet Loni e që po punonte brenda objektit. 

Zyrtarë të Ministrisë së Ambientit të cilët objektin e Kishës e cilësojnë si “objekt pa status juridik që është nën mbikëqyrjen e Këshillit për Zbatim dhe Monitorim që funksionon në kuadër të Ministrisë, thanë se vendosja e grilave është bërë për ta mbrojtur objektin. 

“Në këtë rast në objektin për të cilin e keni fjalën, vetëm është bërë pastrim brenda dhe jashtë tij, si dhe janë vendosur grila me qëllim të moskeqpërdorimit të saj nga endacakët”, tha Fadil Maxhuni nga Zyra për Komunikim Publik në Ministrinë e Ambientit. 

E  mbyllja e objektit të Kishës – ku në qershor të këtij viti u xhirua videoja e këngës “E dehun” të pop-këngëtares kosovare Era Istrefi që ngjalli reagime të ashpra të Dioqezës Rashkë- Prizren duke e quajtur spotin “blasfemi ndaj kishës ortodokse”, ka lënë pa kulm pikërisht një të pastrehë në Prishtinë. 

Qysh prej fundit të muajit maj, një person rreth të 50-ve  kishte filluar të jetonte në objektin e kishës. 

Në korrik Gazeta e kishte vizituar atë për të parë se si jeton dhe siç shihet nga fotografitë ai kishte pastruar dhe vendosur gjëra të ndryshme brenda objektit. 

Ai ka qëndruar brenda këtij objekti deri të mërkurën kur sipas punëtorëve të Kompanisë “Loni” është larguar nga aty duke lënë gjithçka që kishte grumbulluar dhe “meremetuar” në hapësirën e brendshme që e bëri të banueshme për të. 

Por zyrtarë të Ministrisë së Ambientit thanë se nuk është çështje e tyre largimi i personit që kishte jetuar aty.