Wire-less Prishtina

Aksioni i udhëhequr nga drejtori i Inspeksionit, Xhelal Sveçla nisi me largimin e rrethojave që ndodheshin përreth ndërtesës së vjetër të Komunës së Prishtinës, ndërsa në të njëjtën kohë filloi edhe vendosja e shtyllave antiparking, projekt i cili ka për qëllim të lirimin e hapësirave për këmbësorë, duke vendosur pengesat fizike ndërsa realizohet nga Drejtoria e Shërbimeve Publike.

Më pas, aksioni i heqjes së rrethojave ka vazhduar në pjesën e rrethuar tek Enti i Urbanizmit, Poliklinika e Stomatologjisë, si dhe në hapësirat përreth Radio Kosovës dhe televizionit “Kohavision” (KTV), ku edhe janë duke u vazhduar punimet. Ndërsa pronari i parkingut që ndodhet përballë Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i ka larguar vetë rrethojat.

Policia e Kosovës ishte prezent gjatë realizimit të aksionit për largimin e rrethojave nga institucionet publike që nuk hyjnë në mesin e objekteve të rëndësisë së veçantë, ndërsa palët janë njoftuar 20 ditë më parë me vendimin e Bordit të Drejtorëve në Komunën e Prishtinës që të marrin masa për largimin e rrethojave, thuhet në komunikatën e komunës së Prishtinës.

Komuna thotë se aksionet për largimin e rrethojave do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa pas largimit të rrethojave këto ambiente do të gjelbërohen dhe aty do të vendosen edhe pengesat antiparking.

Por aksioni i komunës për heqjen e rrethojave nuk ka kaluar pa polemika.

RTK ka kundërshtuar këtë aksion duke dashur t’i pengojë punëtorët e kontraktuar, por pengesat jane hequr pavarësisht kundërshtimeve.

Por Zyra Ligjore e RTK-së, duke e vlerësuar heqjen e rrethojave si “arbitrare”, me anë të një deklarate, thotë se do t’i drejtohet Ministrisë së Administratës Publike dhe duke e parë të arsyeshme edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të cilën mendon se është kompetente për këtë çështje.

“Natyrisht që rrethojat e RTK nuk kanë të bëjnë me shkelje të rendit publik, por – përkundrazi – janë masë e sigurisë për transmetuesin publik, nuk kanë të bëjnë me shëndetin publik dhe në asnjë mënyrë nuk mund të argumentohet se është në interes publik që të largohen rrethojat e vendosura dekada më parë, që në situate të caktuara, janë mbrojtja e vetme nga intimidimi fizik që disa aktivistë politikë i praktikojnë ndaj RTK-së dhe ne nuk duam të besojmë se Komuna e Prishtinës, kryetari i saj dhe partia në pushtet i largon rrethojat në interes të atyre militantëve”, thuhet në këtë reagim.