Haradinaj e Quan Skandaloze Shtyrjen e Seancës së Kuvendit

Por atij i është dashur që në cilësinë e kryetarit të LDK-së, ta vazhdojë edhe sot rutinën e takimeve të përditshme me partnerët e tij të bllokut, Ramush Haradinajn e AAK-së dhe Fatmir Limajn e Nismës për Kosovën.

Por i ndodhur në situatë të tillë, Mustafa tha se shtyrja e seancës është e papranueshme.

“Unë mendoj që procedura e shtyrjes së seancës është krejtësisht e papranueshme, është një procedurë e pashembullt dhe arbitrare se seanca është dashur të mbahet sot”, tha ai.

Ai shtoi se kryesuesja e seancës Flora Brovina ka qenë dashur t’i pyesë deputetët e Kuvendit rreth kërkesës së nëntë deputetëve të Listës Serbe për shtyrjen e seancës.

Edhe Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së i nominuar nga blloku LDK-AAK-NISMA për postin e kryeministrit të Kosovës tha se shtyrja e seancës nga ana e kryesueses Flora Brovina është veprim skandaloz.

“Është vlerësim i yni se është një veprim skandaloz i kryesueses dhe është një shërbim i radhës së PDK-së”, tha Haradinaj.

Ai tha se është e pakuptimtë shtyrja e seancës dhe sipas tij kërkesa e grupit parlamentar për shtyrje të seancës nuk e ka përfaqësuar veten, por PDK-në.

“Secili grup parlamentar mund të ketë një kërkesë të caktuar, por vendimi për shtyrje të seancës nga kryesuesja, sepse mund të merret vendimi edhe në seancë, por vendimi duhet të merret nga grupet parlamentare e jo praktika si të djeshme”, tha Haradinaj.

Ai po ashtu, ka akuzuar PDK-në se po e pengon ndërtimin e institucioneve.

“E vetmja gjë që është pengesë për këtë rrugë është PDK-ja, e cila nuk arrin t’i ndërtojë institucionet jo për shkak që ata nuk i kishin dhanë pushtet ndonjërit nga ne, i kishin dhënë më shumë, por për shkak të mënyrës që kanë qeverisë me vendin nuk dëshiron askush të asocohet me atë mënyrë të qeverisjes”, shtoi Haradinaj.