Seanca Shtyhet për 18 Shtator

Kështu është vendosur në takimin konsultativ të thirrur nga kryesuesja e seancës, Flora Brovina.

“Për shkak të krijimit të momenteve të reja politike në Kosovë dhe nevojës për konsultime shtesë të Listës Serbe me faktorët relevantë politikë, i drejtohem kryesueses së seancës, Flora Brovina, me kërkesën që të mundësojë shtyrjen e seancës konstituive e cila është thirrur për 12 shtator. Ne propozojmë datën 18 shtator për mbajtjen e seancës”, thuhet në kërkesën e nënshkruar nga koordinatori i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq për shtyrje të seancës.

15:46

Gazetarja e Gazetës Jeta në Kosovë nga Kuvendi i Kosovës raporton se në sallën ku do të mbahet takimi i thirrur nga Flora Brovina tashmë kanë hyrë Adem Grabovci i PDK-së dhe përfaqësues të partive të pakicave, ndërkohë që takimi i përfaqësuesit të Listës Serbe me Isa Mustafën e LDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së është ende duke vazhduar në një zyrë tjetër të Kuvendit.

15:39

Lista Serbe Në Takim Me Isa Mustafën e Ramush Haradinajn

Para takimit me kryesuesen e seancës konstituive, Flora Brovina, përfaqësuesi i Listës Serbe është duke mbajtur një takim me drejtues të bllokut LDK-AAK-NISMA.

Bëhet e ditur se pjesë e takimit janë Isa Mustafa e Ramush Haradinajt, ndërsa nuk është konfirmuar nëse edhe Fatmir Limaj është duke marrë pjesë në të.

Partitë që përbëjnë koalicionin paszgjedhor, LDK-AAK-NISMA, më herët kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në takimin e ftuar për orën 15:30 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Zyrtarë të këtij koalicioni kanë thënë se nuk janë të interesuar të marrin pjesë në takimin i cili është ftuar për ta shqyrtuar kërkesën e Listës Serbe për shtyrjen e seancës së nesërme të Kuvendit.