Apeli Liron nga Paraburgimi 6 të Dyshuar për Terrorizëm

Nga paraburgimi janë liruar Berat Këpuska, Burim Konjuhi, Visar Kadriu, Besim Shabani, Agron Lika dhe Gazmend Haliti, të cilët kanë qenë pjesë e grupit prej 40 të arrestuarëve nën dyshimet për terrorizëm javë më parë.

Gjykata në të njejtën ka refuzuar ndryshimin e masës së paraburgimit për 33 të dyshuarit tjerë të cilët poashtu përmes avokatëve mbrojtës kishin bërë ankesë kundër caktimit të paraburgimit. Ndërsa njëri nga të arrestuarit nuk ka bërë ankesë fare.

Në arsyetimin e Gjykatës së Apelit për lirimin nga paraburgimi për 6 të dyshuarit për terrorizëm thuhet se të pandehurit janë shtetas të Kosovës dhe se atyre u dihet identiteti dhe vendbanimi dhe se janë persona familjarë.

“Nga shkresat e lëndës nuk rezulton asnjë rrethanë konkrete e cila arsyeton dyshimin e bazuar se me gjetjen e të pandehurve në liri do të mund të ikin apo të arratisen, të ndikojnë në bashkëkryesit e tjerë apo në dëshmitarë”, thotë Apeli.

Gjykata ka vlerësuar se me masën e arrestit shtëpiak është masë e mjaftueshme për sigurimin e të pandehurve në procedurë dhe zbatimin me sukses të procedurës penale.

Veç kësaj gjykata këtyre 6 të dyshuarve ua ndalojë të komunikojnë me të pandehurit e tjerë si dhe të kenë komunikime telefonike apo elektronike, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre të banimit në adresat e ditura si në shkresat e lëndës.

Policia e Kosovës ka arrestuar me 11 gusht 40 të dyshuar për terrorizëm, lajm ky që kishte zënë vend edhe në mediat ndërkombëtare pas raportimeve të shumta për pjesëmarrjen e disa kosovarëve në luftën e Sirisë.