Seanca e Gjykatës Kushtetuese, Minutë pas Minute

11:28

Pas gati një orë e gjysmë debati, përfundon seanca dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës rreth kërkesës së PDK-së për ta shpallur të pavlefshëm zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e Kryetarit të Kuvendit.

11:16

Arsim Bajrami: Nuk e kontestojmë formimin e një shumice e cila nuk është shumicë zgjedhore, por kjo nuk mund të themelohet me metoda jokushtetuese.

Arsim Bajrami: Kushtetuta jonë nuk e lejon ndërrimin e shumicës parlamentare por e çon vendin në zgjedhje të reja.

11:14

Albulena Haxhiu: Deputetët ushtrojnë mandatin e vet para se ta japin betimin dhe ky është rasti kur deputetët ushtrojnë mandatin për votimin e Komisionit të Mandateve në seancën konstituive.

11:13

Ardian Gjini: Procedurat janë të domosdoshme në demokraci, por shpika e procedurave që e pengojnë zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit, nuk ka logjikë.

11:11

Vjosa Osmani:  Mandati i deputetit fillon me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve e jo me seancën konstituive.

11:07

Arsim Bajrami: Unë jam i sigurt se Gjykata do ta shqyrtojë vendimin e Kuvendit dhe do ta shpallë anti-kushtetues sepse bazohet në një konstatim të gabuar se kush është grupi më i madh parlamentar. Është e drejtë ekskluzive e patjetërsueshme e PDK-së ta ketë kryetarin e Kuvendit.

11:03

Arsim Bajrami: Deputetët duhet ta mbajnë partinë e tyre në seancën konstituive. Pastaj janë të lirë të vendosin.

11:01

Albulena Haxhiu: Që nga momenti që deputeti certifikohet, deputeti është përfaqësues i gjithë popullit e jo vetëm i atyre që e kanë votuar.

11:00

Vjosa Osmani: Seanca nuk mund të ndërpritet pa i rënë ziles për t’i ftuar deputetët të kthehen në seancë. Kemi sjellë rastet e 77 seancave për mënyrën se si janë ndërprerë kur nuk ka pasur kuorum.

10:58

Vjosa Osmani: Deputeti Ukë Rugova në seancën e parë të parlamentarit i është bashkuar një grupi tjetër e jo atij të partisë me të cilën kishte garuar në zgjedhje. Njëjtë ka ndodhur edhe me deputetin Xhevdet Nezirajn.

10:56

Vjosa Osmani: Kryesuesja e seancës konstituive nuk ka të drejtë ta ndryshojë agjendën e caktuar.

10:53

Kryetari i Gjykatës, pas përgjigjes së Arsim Bajramit, tërheq vërejtjen për gjuhën e përdorur në seancë.

10:52

Arsim Bajrami: Deputeti në seancën konstituive është deputet i asaj partie politike për të cilën është zgjedhur.  Thirrja në demokraci nuk ka kuptim nëse demokracia nuk është diktaturë e rregullave. Kosova duhet ta kuptojë se demokracia duhet të bëhet me anë të rregullave.

10:50

Fillon përgjigja në argumentet e përfaqësuesve të subjekteve politike

Arsim Bajrami: Të tre folësit i shtrembëruan argumentet. Deputetët janë ushtrues të sovranitetit dhe nuk guxojnë ta tjetërsojnë vullnetin.

10:47

Ardian Gjini: Mandati i takon deputetit e jo partisë. Gjykata Kushtetuese duhet ta japë përgjigjen i kujt është mandati, i partisë apo deputetit. Nëse mandati i përket deputeti, atëherë partia pushon së ekzistuari kur deputeti e merr mandatin.

10:40

Albulena Haxhiu: Kryesia e Kuvendit e legjislaturës së mëparshme e ka për obligim ta përgatisë rendin e ditës së seancës konstituive dhe t’ia dorëzojë atë kryesuesit të seancës konstituive.

Albulena Haxhiu: I propozojmë Gjykatës që ta ndërpresë masën e përkohshme ndaj Kuvendit dhe kërkesën e PDK-së ta konsiderojë të papranueshme.

10:38

Albulena Haxhiu: Vullnetin e lirë të deputetit duhet ta kuptojmë edhe me lirinë e determinizmit politik.

10:36

Albulena Haxhiu: Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Gjykata Kushtetuese mund ta bëjë vetëm konstatimin nëse propozimi është bërë nga grupi më i madh parlamentar. Nuk është në kompetencë të gjykatës që ta bëjë interpretimin e rregullores së Kuvendit dhe, në bazë të kësaj, ta bëjë interpretimin e grupit parlamentar.

10:32

Albulena Haxhiu: Kërkesa e PDK-së nuk ka mbështetje juridike për parashtrimin e saj.

10:31

Vjosa Osmani: Legjitimiteti i kryetarit të Kuvendit buron nga dy të tretat e votave të popullit.

10:28

Vjosa Osmani: Nëse Gjykata vendos ta trajtojë këtë çështje atëherë kërkojmë që ta konsiderojë të ligjshëm vendimin për themelimin e grupit parlamentar. Deputeti mund ta bëjë betimin edhe në seancat e radhës. Duhet ta kemi parasysh praktikën parlamentare të Kosovës sepse kjo praktikë parlamentare është ajo që na obligon. Shumë grupe parlamentare janë formuar para seancës konstituive. Deputeti ka mandatin e lirë, e jo detyrues, që të vebdosë se cilit grup parlamentar i takon. Është gabim të barazohet nocioni juridik “grup parlamentar” me nocionin politik “subjekt politik”. Grupet parlamentare nuk certifikohen para zgjedhjeve, ato formohen pas zgjedhjeve.

10:23

Vjosa Osmani: Grupi më i madh parlamentar përcaktohet sipas definicionit “6 e më shumë deputetë”. Në përputhje me këtë, 47 deputetë e kanë formuar grupin parlamentar me vullnetin e vet. Kjo çështje nuk parashihet me Kushtetutë dhe kërkojmë nga Gjykata që të mos e trajtojë këtë çështje.

10:20

Arsim Bajrami: Në seancën konstituive, secila parti politike është grup parlamentar dhe ato derisa nuk zgjedhet kryetari i Kuvendit nuk mund ë bëjnë lëvizje nga një grup në tjetrin.

Arsim Bajrami: PDK ka 4 kërkesa: Gjykata kushtetuese ta shpallë jokushtetues zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe ta konstatojë se PDK ka grupin më të madh parlamentar, se vazhdimi jolegal i i seancës e bën rezultatin jolegal dhe se edrejta e PDK-së për ta nominuar kryetarin e Kuvendit është e drejtë e patjetërsueshme dhe ekskluzive dhe ajo nuk mund të kalojë te asnjë grup tjetër parlamentar.

10:16

Arsim Bajrami: Kjo seancë ka pasur shkelje edhe procedurale edhe formale.

10:14

Arsim Bajrami: Seanca konstituive ka pasur shumë parregullsi. Në shumë praktika, kjo seancë është seancë solemne ku verifikohen mandatet. Është tentuar të futet një pikë e re e rendit të ditës për formimin e një grupi të ri parlamentar dhe kryesuesja nuk ka pranuar ta implementojë këtë pikë.

10:11

Arsim Bajrami: Janë bërë tri shkelje të rendit të ditës nga kryesia e Kuvendit të kaluar dhe për këtë arsye kryetari i PDK-së e ka lëshuar këtë mbledhje sepse ajo ka dalë nga sfondi legal.

10:05

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, bën hapjen e seancës dhe e rrëfen arsyen pse është mbledhur kjo seancë. Ai thotë se ankesa është bërë nga Xhavit Haliti dhe 29 deputetë tjerë.

10:03

Arsim Bajrami dhe Vjosa Osmani janë ulur afër njëri tjetrit, ndërsa të pranishëm në seancë janë edhe Ardian Gjini nga AAK, Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes, Nenad Rashiq nga Partia Progresiste Demokratike.

Dy blloqet kryesore aktuale politike të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-NISMA, do të përballen sot në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës në një seancë dëgjimore rreth rastit të zgjedhjes së Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit.

Ankesa për procedurat e votimit në Kuvend më 17 korrik të këtij viti është dërguar nga PDK pasi kjo parti pretendon që duke qenë partia më e votuar në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, i takon ta marrë drejtimin e Kuvendit për mandatin e ri katërvjeçar.

Nga ana tjetër, LDK-AAK-NISMA thonë se posti i kryetarit të Kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar i cili, sipas tyre, mund të formohet edhe pas zgjedhjeve si bashkim i lirë i vullnetit të deputetëve në një grup të vetëm.

Palët sot do t’i paraqesin argumentet e tyre rreth këtij rasti i cili ka bërë që të stopohet për më shumë se një muaj formimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e fundit.

PDK në këtë seancë do të përfaqësohet nga deputeti i saj, Arsim Bajrami, ndërsa koalicioni LDK-AAK-NISMA nga deputetja Vjosa Osmani të cilët tashmë kanë arritur në ndërtesën e gjykatës.

KALLXO.com do ju sjellë rrjedhën e kësaj seance minutë pas minute.