Pas Polemikave me Drejtoreshën, Bajram Mulaku Shkarkoi Zëdhënësin e Komunës

I pari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, konfirmoi për KALLXO.com se e ka marrë vendimin për ta larguar zëdhënësin i cili kohëve të fundit nuk ka mbajtur raporte të mira me drejtoreshën komunale të Kulturës, Shpresa Rama.

Por Mulaku mohoi që kjo të ketë qenë arsyeja e shkarkimit.

“Bivolakun e kam shkarkuar për mos zbatim të disa politikave të Komunës. Kjo është arsyeja e vetme dhe s’ka kurrfarë arsye tjera”, tha kryetari i komunës së Vushtrrisë.

Ndërsa drejtoresha e Kulturës, Shpresa Rama, e kontaktuar nga KALLXO.com tha së shkarkimi i Bivolakut lidhet edhe me polemikat që ata dy kanë pasur, sado që tha se kjo nuk ëhstë arsyeja kryesore që ka shtyrë kryetarin Mulaku ta marrë këtë vendim.

“Shkarkimi i Bivolakut lidhet edhe me mua por nuk ka qenë arsye e vetme e shkarkimit të tij. Me mua lidhen vetëm shpifjet që Bivolaku i ka bërë ndaj meje”, theksoi drejtoresha Shpresa Rama.

Ndërsa Bahri Bivolaku, tha për KALLXO.com se është në pushim vjetor dhe nuk është në dijeni për shkarkimin.

“Nuk di asgjë. Unë jam në pushim vjetor, dhe s’bëhet fjalë për kurrfarë shkarkimi”, tha Bivolaku.