Seminari i Gjuhës Kërkon Vëmendjen e Shtetit

Edicioni i këtij seminari ka mbledhur studiues shqiptarë por edhe të huaj të cilët merren me probleme të gjuhës, letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë në përgjithësi.

Bardh Rugova, drejtor i këtij seminari, fjalën e tij e hapi me një falënderim për akademikët Idriz Ajetin dhe  Rexhep Ismajlin, të cilët sipas Rugovës e themeluan këtë seminar në një kohë shumë të vështirë.

Në fjalimin e tij, drejtori i seminarit, u ankua tek institucionet vendore të cilat “duke u marrë me emergjencat dhe gjërat e përditshme po e harrojnë kulturën”.

“Emergjencat natyrisht shkojnë e vijnë dhe ajo që mbetet është kultura, është ajo që e kultivojmë me dashuri, sakrificë kujdes e nder”, tha Rugova.

Por sipas Rugovës, përkundër kësaj, ky seminar “do të jetojë aq kohë sa do të jetoj albanologjia, për aq kohë sa do të kenë nevojë studiuesit e huaj si dhe për aq kohë sa do të kemi nevojë për integrim të kulturës shqiptare në botë”.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes së seminarit ishte edhe Ministri në largim i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, i cili e vlerësoi lartë punën e këtij seminarit.

Sipas Bujës seminari në të kaluarën përveç karakterit studiues e letrar, ka pasur edhe “karakter patriotik e propagandistik”.

Por tani Buja shpreson që seminari t’i jetë kthyer frymës studimore dhe analitike.

“Akoma albanologjia ka fusha të pa ekslporuara dhe ka nevojë për studiues të kësaj lëmie”, tha Buja.

Ku seminar është organizuar në bashkëpunim me Fakultetin Histori Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku i pranishëm ishte dekani i këtij fakulteti, Shezai Rrokaj.

Rrokaj kujtoi sakrificat të cilat, sipas tij, kanë mbajtur gjallë këtë seminar si thesarin më të çmuar të letërsisë në trevat shqiptare.

“Është rasti për të nderuar e shprehur mirënjohje institucionale veprimtarëve tanë të shumtë në të gjitha trevat shqipfolëse të cilët me përkushtim shkencor e atdhetarizëm dhanë më të mirën për të mbajtur ndezur këtë pishtar në kohë të vështira”, tha Rrokaj.

Të pranishëm në hapjen e seminarit ishin studiues, akademikë, albanologë dhe studentë nga fusha e gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 nga Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës.

Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet serbe për të vazhduar punën në vitet 1995 e 1996 në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Që nga viti 2000 seminari mbahet në Prishtinë ndërsa seminari i vitit 2014 shënon sesionin e tridhjetë e tretë.

Seminari do të mbyllet me 30 gusht dhe në programin e tij do të zhvillohen kurse intensive të mësimit të gjuhës shqipe, ligjërata për letërsinë shqiptare, referime shkencore dhe tryezë të rrumbullakët.

Temë e veçantë në një ditë të seminarit do të jetë edhe jeta e shqiptarëve në kohën e komunizmit.

Sesioni shkencor do të mbahet nga 29 deri me 30 gusht ku temë do të jetë gjuha shqipe dhe ideologjia si dhe letërsia shqipe dhe kodet e mëdha.