PDK Jashtë Projeksioneve për “Qeveri Gjithëpërfshirëse”

Pas përfundimit të takimit nga ana e të tre liderëve të koalicionit LDK-AAK-NISMA, lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se në asnjë variant nuk do të ketë qeveri të koalicionit me PDK-në.

“Në asnjë variant nuk do të ketë qeveri gjithëpërfshirëse si po pretendohet. Qeveria gjithëpërfshirëse po, por pa PDK-në”, tha Limaj.

Sa i përket seancës dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese, e cila do të mbahet me 21 gusht, Limaj tha se blloku ka përgatitur ekipin drejtues për t’i prezantuar argumentet në Gjykatën Kushtetuese.

“Në emër të koalicioni ne kemi përgatitur ekipin që do të udhëhiqet nga profesoresha Vjosa Osmani”, shtoi Limaj.

Nga ana tjetër, Lideri i AAK-së dhe kandidati për kryeministër nga ky bllok, Ramush Haradinaj, tha se janë në bisedime me përfaqësues të Listës Serbe, por mohoi që ky subjekt politik të ketë vënë kushte për të hyrë në koalicion.

Haradinaj tha se interesimi i Listës Serbe për të qenë në koalicion është “lajm i mirë për Kosovën”.

“Ajo që kemi hetuar ne dhe që është një lajm i mirë për Kosovën është interesimi i tyre me marrë pjesë në jetën institucionale qeverisëse përfshirë edhe ata të veriut. Kjo është mirë për Kosovën”, tha Haradinaj.

Sipas tij, të gjithë deputetët e Kosovës që e votojnë qeverinë e ardhshme duhet marrë parasysh interesat e tyre, janë njerëz që jetojnë në Kosovë”, tha ai.

Por Haradinaj shprehu doza pesimizmi kur u pyet për komunikimet e bllokut me subjektin tjetër politik të vendit, Lëvizjen Vetëvendosje.

Sa i përket komunikimit me Lëvizjen Vetëvendosje, Haradinaj tha se janë duke komunikuar me VV, por ai shtoi se së fundi kanë pasur një shpërputhje në disa tema.

“Ka pasur një ngecje në komunikim gjatë këtyre ditëve, mund të ndodhë të ripërtërihet komunikimi tash me Lëvizjen Vetëvendosje. Besoj që po shihet se po vinë periudha më intensive, pra kjo javë shkon në funksion të vendimit të Gjykatës, mirëpo javën e ardhshme mund të ndodhë seanca e parlamentit dhe kësisoj komunikimi do të ripërtërihet”, u shpreh Haradinaj.

Ndërsa lideri i LDK-së, Isa Mustafa, tha se menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të themelohen institucionet e vendit.

“Menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, institucionet e vendit duhet të themelohen sa më shpejtë të aktivizohen dhe të marrin përgjegjësinë për qeverisjen e këtij vendi, për arsye se ka shumë fusha të cilat kanë ngec deri më tani dhe po ashtu vendi ka nevojë që të hapet perspektiva zhvillimore dhe po ashtu të forcohet shteti ligjor”, shtoi Mustafa.