Prizreni Nuk e Lejon Privatizimin e Kino Lumbardhi

Organizatorët e “DokuFest” janë rikthyer në pikën zero, trembëdhjetë vite pasi ky festival ka filluar pikërisht si nismë kundër shkatërrimit të kinemasë Lumbardhi. 

Ata po gjenden përballë problemit të njëjtë të vitit 2002 kur ambienti i jashtëm i kinemasë rrezikohej të shndërrohej në parking. Kundërshtimi i kësaj ideje kishte lindur DokuFest-in, organizatorët e të cilit në vitin 2014 janë çuar kundër privatizimit të kinemasë “Lumbardhi” procedurat për shitjen e së cilës kanë nisur në fund të muajit qershor. 

E kjo kishte bërë që në hapjen e edicionit të këtij vitit të DokuFest i gjithë fjalimi të përqendrohet kundër shitjes së kësaj kinemaje. 

“Nuk e kemi ndërmend me u dorëzu”, ishte njëra nga fjalitë hyrëse që përsëritej nga vullnetarët e festivalit. 

E një ditë pas, në konferencën për media, Nurkollari ka ashpërsuar qëndrimet kundër shitjes së kinos “Lumbardhi” duke e quajtur privatizimin e saj si akt brutal. 

“Ne do të bëjmë gjithçka që të mos ia privojmë qytetit të drejtën për ta mbajtur këtë kinema”, ka thënë Nurkollari. 

Madje ai ka paralajmëruar edhe veprime radikale nga ana e festivalit dhe qytetarëve të Prizrenit për ta mbrojtur nga privatizimi kinemanë më të vjetër në Prizren. 

“Ajo në hapje ishte fillimi dhe donim të bënim një deklaratë sepse aty ishin ministri i Kulturës e Presidentja. Do të bëjmë edhe peticion e nëse nuk kryen punë do të përdorim edhe aso forma sikurse në filmin që e hapi festivalin”, ka thënë Nurkollari. 

DokuFest u hap të shtunën mbrëma me dokumentari “Everyday Rebellion” që flet për lëvizjet qytetare nëpër botë që nëpërmjet formave të ndryshme shpërfaqin mosbindje. 

“Pikërisht për këtë arsye edhe e kemi zgjedhur këtë film ta hapim festivalin”, ka thënë Nurkollari. 

Sipas tij, Kino Lumbardhi nuk është një ndërmarrje shoqërore sikur tjerat dhe se vlera e saj nuk matet me para. 

“Nëse humbet ai vend humbet edhe DokuFest dhe simboli i Prizrenit. Ai vend është trashëgimi kulturore dhe nuk mundet keq lehtë të privatizohet”, ka thënë Nurkollari, teksa ka kërkuar nga Komuna e Prizrenit që ta mbajë këtë kinema dhe t’ia dhurojë qytetarëve të Prizrenit. 

E në Komunën e Prizrenit thonë se planifikojnë që ta nxjerrin një vendim në bazë të të cilit kino Lumbardhin do ta shpallin zonë me interes publik. 

“Kryetari i Komunës Ramadan Muja muajin korrik i ka shkruar AKP-së se Prizreni dëshiron ta mbajë këtë kinema ndërsa ne si Asamble Komunale në mbledhjen e ardhshme që pritet të mbahet në fund të këtij muaji do të nxjerrim një vendim që do ta shpallë zonë me interes publik”, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, Kujtim Gashi, kryesues i Asamblesë në Prizren. 

Deri në këtë vendim, Agjencia Kosovare e Privatizimit do të vazhdojë procedurat e nisura për privatizimin e kino Lumbardhit. 

“Agjencia do ta trajtojë këtë objekt si çdo pronësi tjetër shoqërore në përputhje me mandatin ligjor ndërsa kërkesat e mundshme nga Komuna apo Qeveria, AKP do t’i shqyrtojë në përputhje me procedura ligjore”, ka thënë Ylli Kaloshi, zëdhënës i AKP-së. 

Por derisa Komuna e Prizrenit dhe AKP të merren vesh nëse do të privatizojnë kinemanë, në Lumbardh gjatë DokuFest do të shfaqen filma e dokumentar që shpërfaqin rebelimin dhe protestat e njerëzve nëpër botë.