Kroacia Vendos Veto Ndaj Referendumit Kundër Cirilikës

Thirrja për referendum përqendrohej në pyetjen nëse të drejtat gjuhësore duhet të aplikoheshin vetëm aty ku pakicat përbëjnë së paku gjysmën e popullatës- siç pretendojnë mbështetësit e referendumit- apo aty ku ato e përbëjnë një të tretën, ashtu siç e thotë ligji aktual.

Kundërshtuesit e idesë së referendumit thanë se kjo nismë e godet pakicën serbe, përfituesit kryesorë të ligjit.

Parlamenti kroat e ka dërguar këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për ta marrë një opinion më 15 korrik.

Gjykata vendosi se megjithëse janë mbledhur mjaft nënshkrime për ta thirrur një referendum, çështja në vetvete është anti-kushtetuese, pasi që ndryshimet e propozuara do t’i minonin të drejtat e njeriut.

Nisma për referendum u bë nga një grup i quajtur Komiteti për Mbrojtjen e Vukovarit.

Ai përbëhej kryesisht nga veteranë të luftës së vitit 1991 e cila çoi në pavarësinë e Kroacisë, të cilët ishin të mllefosur për vendosjen e shenjave dygjuhëshe, në alfabetin latin dhe cirilik, në qytetin kufitar në lindje të vendit.

Vukovari ishte i rrethuar dhe i drejtuar nga forcat serbe gjatë luftës, dhe përjetoi shkatërrime masive dhe gjakderdhje para se të bie në vitin 1991. Çështja mbetet ende e ndjeshme në mesin e popullatës në Kroaci.

Komiteti është themeluar në janar të vitit 2013 dhe udhëhoqi një fushatë kundër ngritjes së shenjave dygjuhëshe në Vukovar, ku serbët përbëjnë pak mbi një të tretën e popullatës.

Kur u vendosën shenjat e para në shtator të vitit 2013, veteranët i thyen dhe i larguan ato, duke shkaktuar edhe konflikte me policinë.

Grupi filloi mbledhjen e nënshkrimeve për një referendum dhe brenda dy javë u mblodhën 650 mijë nënshkrime që përbënin 200 mijë nënshkrime më shumë se kuota e kërkuar për ta nxitur një referendum pasi që pragu për ta bërë një kërkesë të tillë është 10 përqind e votuesve. Grupi mori mbështetje nga shoqatat e veteranëve të luftës dhe Kisha Katolike.

Grupi dorëzoi kërkesën në parlament në dhjetor të vitit 2013 dhe priti deri në prill të këtij viti për ta marrë reagimin e parë nga Komisioni Parlamentar për Kushtetutën.

Në korrik, parlamenti vendosi ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Ivan Novosel nga Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut, një nga organizatat që kundërshtuan referendumin, tha se është i kënaqur me vendimin e kushtueses.

“Gjykata vendosi atë që shoqëria civile e ka kërkuar- ta shpallë jokushtetues kërkesën për referendum”, tha ai.

Sipas tij, vendimi i gjykatës thërret popullatën e Vukovarit që ta zgjidhin problemin në nivelin lokal, me anë të tolerancës dhe dialogut.