Mërgimtarët në Deçan Priten edhe me Librat e Kryetarit

Në “Ditët e Diasporës”, një manifestim treditor për të nderuar bashkatdhetarët e ardhur për pushime në vendlindje që po organizohet për herë të parë nga Komuna e Deçanit, kryetari Rasim Selmanaj është kujdesur që krahas mbështetjes së këtyre aktiviteteve të ofrojë për shitje edhe librat e tij.

Sipas gazetarit të KALLXO.com-it në terren, një djalë i kryetarit është marrë me shitjen e librave të babait dhe disa librave tjerë në një tendë në qendër të qytetit, derisa zhvillohej panairi i prodhimeve tradicionale kosovare kryesisht veshjeve, pijeve dhe ushqimit më 30 korrik.

Rasim Selmanaj është autor i disa librave, mes tyre edhe atyre për shefin e tij partiak të titulluara “Me Ramushin” dhe “Haradinaj dhe Haga” në bashkautorësi me Mehmet Gëzhillin.

Gjatë hapjes së Manifestimit “Ditët e Diasporës”, Selmanaj premtoi se nderimi për mërgimtarët do të bëhet tradicional.

“Tashmë në Deçan është traditë pritja e bashkatdhetarëve, dhe qëllimi është shprehja e mirënjohjes për kontributin e diasporës edhe para lufte, edhe gjatë luftës dhe edhe sot që po japin për vendin dhe popullin tonë”, tha Selmanaj.

“Ditët e Diasporës” nisën me mbrëmjen e muzikës folklorike më 29 korrik. Rapsodë të ndryshëm u munduan të bartin sidomos te gjenerata e re dhe mërgata shqiptare e kthyer në atdhe vlerat e vendit.

Njëri prej tyre ishte Binak Neziri, që jeton jashtë Kosovës, ndërsa është vazhdues i punës dhe këngës së Demush Nezirit, rapsodit të njohur.

“Është një natë shumë e veçantë për mua dhe familjen time, ku këta tinguj të bukur të çiftelisë m’i ngjallin shumë kujtime për babën dhe për Dervish Shaqën, të cilët deri në frymën e fundit të tyre nuk i lëshuan nga dora ato instrumente kaq madhështore, e aq edhe krenare”, tha Neziri, pas interpretimit të tij.

Dervish Shaqa dhe Demush Neziri lëshuan Kosovën, të përndjekur nga aksioni i armëve, duke u vendosur në Shqipëri.

Para koncertit folklorik folën edhe rapsodë tjerë.

“Unë këndoj qe 30 vjet bashkë me Ali Krasniqin nëpër oda e nëpër dasma e festivale. Sonte do të prezantohemi me kangën “Mora bjeshkën te përpjëte”, tha Gani Maralia, rapsod nga Malisheva.

Fjalë të mira për organizimin pati edhe Enver Muluka nga Lumbardhi.

“Me të vërtetë po ndihna mirë sonte, unë qe 35 vite këndoj dhe kam marrë pjesë në të gjitha trevat e Kosovës, në Shqipëri, ne Maqedoni, e vende tjera”, tha Muluka.

Pas përfundimit të koncertit, komuna shpërndau disa çmime për vepër jetësore për shumë këngëtarë folklori, aktorë dhe njerëz të tjerë të kulturës, shumë pre të cilëve tashmë nuk janë në mesin e të gjallëve.

Të mërkurën përveç këndimit të këngëve popullore, në qendër të Deçanit u organizua panairi i prodhimeve kosovare kryesisht veshjeve, pijeve dhe ushqimeve.

“Është një rast i mirë që vlerat tona gjithëkombëtare të duken në një vend. Meqenëse është viti i parë që organizohet një panair i tillë, shpresojmë se vitet e ardhshme të ketë tenda me prodhime edhe të kompanive tjera, qoftë anembanë Kosovë, apo edhe nga trojet tjera shqiptare, si dhe nga diaspora”, tha Sytki Hulaj, nga Zyra e Diasporës në Deçan.

I kënaqur me këtë panair u duk edhe një kultivues i verës.

“Jemi në Deçan për herë të parë dhe i jemi falënderues Kuvendit Komunal të Deçanit dhe organizatorëve dhe jemi të kënaqur me vizitorët që deri tani kemi pasur”, tha Sead Boshnjaku, nga Bodrumi i Verës “CEO” në Rahovec.

Manifestimet u përmbyllën të enjten me finalen e turneut të futbollit, në fushën e fshatit Prekollukë.