Vazhdon Paraqitja e Fjalës Përfundimtare në Rastin Uka

Ollga Janiçijeviq, gjyqtarja civile që punoi në Gjykatën Komunale në Prishtinë deri në vitin 2010, ndërsa akuzohet për nxjerrje të vendimeve të kundërligjshme gjyqësore që dëmtuan ndërmarrjen KBI “Kosova Export”, qau në seancë teksa tha fjalët e saj të pakta mbrojtëse.

Ajo mohoi aktakuzën duke thënë se “si gjyqtare e shkallës së parë kam vendosur në bazë të bindjes së lirë pa ndikime dhe anime, nuk kam pasur qëllim t’i shkaktoj dikujt dëm, vetëm kam vendosur në bazë të ligjit”.

Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, paraardhësja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ua kishte bërë me dije gjyqtarëve që me rastet që lidheshin me pronat e ndërmarrjeve shoqërore do të merrej Dhoma e Posaçme  e Gjykatës Supreme.

10 të akuzuarit, tetë prej tyre gjyqtarë ngarkohen se kanë dëmtuar ndërmarrjen KBI “Kosova Export” në 15 raste, duke tjetërsuar pronat e saj me vendime të paligjshme gjyqësore gjatë viteve 2006-2007.

Avokati i Janiçijeviqit Zhivojin Jokanoviq tha se klientja e tij kishte respektuar vendimin e AKP-së.

“Deri me datën 16 nëntor të vitit 2005 gjyqtarja i ka marrë vendimet në këtë mënyrë, por pas 16 nëntorit kur AKM-ja ka dërguar një letër gjyqtarja Ollga Janiçijeviq e ka shpallur veten inkompetente dhe i ka orientuar palët në Dhomën e Veçantë në Gjykatën Supreme”, tha Jokanoviq.

Ai tha se edhe Makifete Saliuka, pasardhësja e Nuhi Ukës në krye të Gjykatës Komunale të Prishtinës ka vazhduar t’ua ndajë lëndët gjyqtarëve serbë, kur paditës ishin pjesëtarët e këtij komuniteti, por nuk është akuzuar si ish-kryetari i gjykatës.

“Mendoj se ne asnjë formë nuk është vërtetuar aktakuza. Gjatë gjykimit u vërtetua që nuk ka asnjë vepër penale. Prokurori nuk ka asnjë fakt për vërtetimin e aktakuzës”, shtoi Jokanoviq.

Të mërkurën fjalën përfundimtare e paraqiti edhe Qerim Meta që në këtë proces mbron Gazmend Gashin që punonte si jurist në Komunën e Prishtinës, i punësuar në Drejtorinë për Financa dhe Çështje Pronësore gjatë viteve  2001- 2006.

Gashi është edhe dhëndër i Nuhi Ukës. Mbrojtësi i tij tha se pikërisht për këtë fakt klienti i tij po akuzohet, edhe pse në lëndët ku dyshohet se janë nxjerrë vendime të kundërligjshme gjyqësore ka pasur edhe avokatë të tjerë.

“Gazmend Gashi është akuzuar  vetëm që është dhëndër i Nuhi Ukës. Në këtë objekt të aktakuzës kanë përfaqësuar edhe përafërsisht 10 avokatë por vetëm Gazmend Gashi është akuzuar. Nuk është vërtetuar asnjë element i veprës penale për të cilën akuzohet”, tha Meta.

Fjalën përfundimtare e paraqiti vetë i akuzuari Ekrem Agushi që në kohën kur dyshohet se me vendime gjyqësore janë tjetërsuar pronat e ndërmarrjes shoqërore punonte si gjykatës në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

“Gjyqtari ka imunitet për vendimet e tij, për mendimet e tij. Kur votohet dhe kur vërtetohet se qëllimisht e ka shkelur ligjin ai shkarkohet për këtë. Në asnjë paragraf të Kushtetutës nuk thuhet se gjyqtari mund të ndiqet penalisht për vendimet e marra nga ai”, tha Ekrem Agushi.

Ai e quajti aktakuzën produkt të thashethemeve, ndërsa për ta vërtetuar këtë tha se prokurori nuk ka mundur të vërtetojë ndonjë përfitim të drejtpërdrejtë pasuror nga të akuzuarit.

Shumica e avokatëve dhe klientëve të tyre që paraqitën fjalën përfundimtare, thanë se vendimet e marra nga ta për pronat e KBI “Kosova Exportit” janë në procedurë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme dhe ende nuk kanë marrë formë të prerë.

Sipas tyre nuk mund të ketë akuza për vendime të tilla.

“Aktgjykimi i gjyqtarit nuk është as Bibël e as Kuran që të mos ndryshohet. Palët e pakënaqura munden me u anku në shkallën e dytë edhe si rezultat i ankesave ende këto lëndë nuk kanë përfunduar dhe janë në procedurë”, tha Zhivojin Jokanoviq.