Këtë të Enjte në “Jeta në Kosovë” Ndiqeni Debatin e Nxehtë rreth Prokurimit Publik

“Drejtuesit e OShP-së dhe të KRrPP-së janë militantë partiakë”, thotë Lavdim Hamidi, zëvendës kryeredaktor i gazetës Zëri.

“E kemi rastin e OShP-së dhe KRPP-së. Në OShP është Hysni Hoxha, i cili është i afër më PDK-në. Fëmijët e tij, njëri është i punësuar në Iber Lepenc, të cilin e drejton kreu i degës së Gjakovës, Hajdar Beqa dhe në PTK, të cilën e drejton Ejup Qerini nga Gjilani  i PDK-së”, shton ai.

Jo rastësisht, sipas tij, të gjitha raportet ndërkombëtare thonë se prokurimi publik e mbanë epitetin e fushës më të korruptuar në vend.

”Pa dyshim se prokurimi publik është një njollë e zezë, sepse të gjitha raportet ndërkombëtare e cilësojnë si fusha më e korruptuar në Kosovë”, thotë Hamidi. “Jeni dëshmitar të cilësisë së ulët të punimeve në terren të projekteve kapitale, përzgjedhja e kompanive më të shtrenjta dhe  fuqizimi i bizneseve për një kohë të shkurtë”, shton ai.

Kur është fjala te përgjegjësia për paranë publike, Agim Sheqirit nga OShP-ja nuk i duken të mëdha 300 euro sa për të dhënë përgjegjësi për to.

“Çfarë përgjegjësie po mendon ti me dhanë, për 300 euro a?”, thotë ai.

Sipas Alban Hashanit nga Instituti RIINVEST, problemet në prokurim publik fillojnë qysh në kohën kur vendoset të ndërtohet diçka.

“Problemet në prokurim publik fillojnë madje ende pa filluar procedurat. Vendimi për të ndërtuar diçka dhe prej aty fillon, në qoftë se vendimmarrja nuk është transparente”, tha Hashani gjatë debatit në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Abdyl Limani nga KRrPP thotë se e monitorojnë punën e të gjitha institucioneve, por me plan vjetor të punës.

“Të gjitha institucionet e Kosovës monitorohen nga departamenti i monitorimit, por sipas planifikimit vjetor”, thotë ai në emision.

Florina Ujupi, analiste financiare në BIRN thotë se gjatë leximit të raporteve të Auditorit të Përgjithshëm, ka gjetur se shumë komuna kanë nisur projekte pa zotim të mjeteve, e po ashtu edhe tejkalim të buxheteve komunale.

“Gjetjet e mia në leximin e raporteve i kam vërejtur se në dhjetë komuna ka pasur kontrata pa zotimin e mjeteve”, thotë ajo. “Rasti më absurd është ai i komunës së Rahovecit, ku në 12 raste për tri vite e ka tejkaluar vijën buxhetore diku 3milionë e 950 mijë euro”, shton ajo.

Për të diskutuar rreth temës, në këtë debat janë të ftuar:

Agim Sheqiri – nga Organi Shqyrtues i Prokurimit,

Abdyl Limani – nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik

Alban Hashani – nga InstitutiRIINVEST

Florina Ujupi – nga Rrjeti Balkanik i Gazetarisë Hulumtuse, BIRN e

Lavdim Hamidi –nga  gazeta “Zëri”

Emisioni transmetohet të enjten në RTK në ora 20:20.