Para Përfundimit Procesi Kundër Nuhi Ukës

Në rastin kundër 10 të akuzuarve për keqpërdorim pronash të ndërmarrjes KBI “Kosova Export”, shumica prej të cilëve janë gjykatës, prokurori paraqiti fjalën përfundimtare të martën. Të njëjtën gjë e bëri edhe Tahir Rrecaj, mbrojtësi i Nuhi Ukës. Uka ishte kryetar i Gjykatës Komunale të Prishtinës nga viti 2000 deri në 2010-ën, ndërsa akuzohet për shtytje në nxjerrjen e vendimeve të kundërligjshme gjyqësore.

Në gjykimin kundër dhjetë të akuzuarve për keqpërdorim pronash të ndërmarrjes KBI “Kosova Export”, tetë nga të cilët gjykatës të ish-gjykatatve të qarkut dhe komunale të Prishtinës, shumica e të pandehurve i pranuan si të tyret deklaratat e dhëna në hetuesi dhe më herët në këtë proces.

Gjatë procesit të deritashëm gjyqësor vetëm Hasnije Balidemaj, zyrtare  e ndërmarrjes që dyshohet se iu keqpërdorën pronat, iu përgjigj pyetjeve të avokatit, prokurorit dhe trupit gjykues, ngase të tjerët u patën deklaruar se do të mbrohen në heshtje.

Disa nga të pandehurit për arsye të ndryshme kërkuan që të plotësojnë deklaratat e tyre. Këtë e tha Sanije Muqolli, ndërsa Rrahman Retkoceri e pranoi deklaratën si të tijën, duke kundërshtuar atë që kishte thënë për të i akuzuari tjetër Ferid Bislimi. Vetë Bislimi tha se në momentin kur ishte nënshkruar deklaratën nuk ishte në gjendje të mirë psikike.

Nuhi Uka nuk pati çka t’i shtojë deklaratës së tij.

“ E pranoj deklaratën si timen dhe i kundërshtoj provat në kuptim të mbrojtjes”, tha Uka.

Pasi përfundoi shqyrtimi i provave me pranimin si provë materiale të një aktvendimi të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të propozuar nga Ekrem Agushi, prokurori Andrew Carney paraqiti fjalën e tij përfundimtare.

Kur elaboroi në tërësi veprimet veç e veç të të akuzuarve, Carney tha se mbështet në tërësi aktakuzën.

Në këtë proces të gjithë ish gjykatësit, përveç Nuhi Ukës, po akuzohen për nxjerrjen e kundërligjshme të vendimeve gjyqësore. Vetë Uka ngarkohet për shtytje në nxjerrjen e këtyre vendimeve, ndërsa Hasnije Balidemaj dhe Gazmend Gashi për ndihmë gjatë këtij procesi.

Pas prokurorit fjalën përfunimtare e paraqiti Tahir Rrecaj, mbrojtësi i Nuhi Ukës.

Rrecaj tha se prokurori ka pasur mëdyshje për këtë rast dhe kjo mëdyshje sipas tij duhet t’i shkojë në favor të akuzuarit, pasi kështu tha se e parasheh Kodi i Procedures Penale.

“Prokurori ka pretenduar se të akuzuarit kanë vepruar në grup kriminal, pse atëherë nuk i ka akuzuar për krim të organizuar”, pyeti Rrecaj, duke u përgjigjur vetë se klienti i tij nuk ka faj.

“I vetmi faj i zotëriut Uka është se në atë kohë ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë”, shtoi Rrecaj, duke shtuar se i mbojturi prej tij mund të ngarkohet vetëm për shkelje disiplinore nëse ka thyer ndonjë rregull gjatë ndarjes së lëndëve për gjykatësit.

Nuhi Uka ishte kryetar i Gjykatës Komunale të Prishtinës nga viti 2000 deri në vitin 2010, ndërsa të akuzuarit Sanije Muçolli, Shemsije Sheholli, Olga Janiçijeviq dhe Tihomir Mikariq punuan si gjyqtarë civilë në Gjykatën Komunale në Prishtinë deri në vitin 2010.

Ekrem Agushi, Ferid Bislimi dhe Rrahman Retkoceri, gjithashtu të pandehur në këtë rast  punuan si gjykatës në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Hasnije Balidemaj ishte zyrtare nga ndërmarrjen shoqërore “KBI” prej vitit 2000 – 2006, ndërsa Gazmend Gashi punonte si jurist në Komunën e Prishtinës, i punësuar në Drejtorinë për Financa dhe Çështje Pronësore gjatë viteve  2001- 2006, duke qenë njëherësh edhe dhëndër i Nuhi Ukës.

Seanca e radhës është caktuar më 30 korrik.