Mesazhe Kundër Ekstremizmit në Ditën e Bajramit të Madh

Festa e Fitër Bajramit shënon fundin e muajit të shejtë të Ramazanit, ku sipas rregullave të fesë islame, secili musliman i shëndoshë duhet të agjërojë.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërrnava, ka bërë thirrje për paqe dhe tolerancë në mes të besimeve të ndryshme në Kosovë.

“Të nderuar vëllëzër dhe motra, të kultivojmë frymën e dashurisë, paqes, tolerancës, respektit të ndërsjellë edhe me besimet tjera, që Kosova të jetë vend i harmonisë, bashkëpunimit, tolerancës dhe paqes”, ka thënë Tërrnava.

Sipas tij, Islami është një fe që i është shpallur njerëzimi, me qëlllimin e dhurimit të një jetë paqësore.

Sa i përket ekstremizmit, Tërrnava ka thënë se Bashkësia Islame në Kosovë do të luftojë çdo lloj ekstremizimi që shkon në dëm të shtetit të Kosovës.

“Ne jemi kundër çdo dhume pavarësisht se ku ajo ndodhë, pavarësisht se çfarë besimi i takon ai që e kryen atë”, ka thënë ai.

“Ne duhet ta ruajmë vendin tonë nga ky sindrom shkatërrues dhe i brishtë, i cili synon destabilizimin, përçarje, mos tolerancë, gjakderdhje e krime të natyrave të ndryshme”, ka shjtuar Tërrnava.

Edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryeministri në largim, Hashim Thaçi kanë uruar Bashkësinë Islame dhe qytetarët e Kosovës që kjo festë të kalojë në paqe dhe në harmoni me njëri- tjetrin.

Në urimin e presidentës Jahjaga thuhet se në këtë ditë feste, më shumë se kurdoherë duhet të ndalemi e të reflektojmë për punën tonë, për angazhimet dhe obligimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, familjes, miqve dhe shoqërisë.

Kurse në urimin e kryeministrit Thaçi thuhet se qytetarët tanë të besimit islam shquhen për kultivim të vlerave humane, për urtësi, shpirt paqësor, tolerant dhe respekt për njerëzit e besimeve të ndryshme.

“Urojmë qe kjo frymë e mirëkuptimit dhe kultivimit të vlerave që na bashkojnë të vazhdojë dhe të thellohet gjithmonë në mesin tonë, duke e bërë Kosovën vend te paqes, përparimit dhe harmonisë midis njerëzve të përkatësive të ndryshme etnike dhe religjioze.

Gjatë ditës, Bashkësinë Islame e kanë vizituar përfaqësues të ndryshëm të partive politike si dhe përfaqësues të feve tjera në Kosovë.

Ndër të parët  visitor të cilët shkuan në Bashkësinë Islame të Kosovës, për të uruar Festën e Fitër Bajramit ishte kryesipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji.

Pas vizitës, Gjergji tha se Zoti është i përbashkët si për katolikë ashtu dhe për myslimanë, të cilët dhe pse i ndajnë festat, nuk e ndajnë dashurinë për njëri- tjetrin.

Edhe një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, i përbërë nga Albin Kurti, Visar Ymeri e Besnik Bislimi, vizituan Bashkësinë Islame të Kosovës.

“Sot e vizituam Myftiun Naim Ternava, për t’ia uruar Fitër Bajramin atij dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij”, ka thënë Kurti.