Kohë Shtesë Për Kompaninë Për Rrënim të Objektit

Pas bisedave në mes tyre, drejtori Sveçla u pajtua që t’i japë kësaj kompanie një afat shtesë.

“Ne në bisedë me pronarët u kemi dhënë një afat të caktuar që ata ta largojnë atë që mund ta largojnë, do të thotë tavolina, karriga, mallra që shesin. Çdo gjë që ata mund të largojnë, ju kemi dhënë afat për t’i larguar”, tha ai.

Ai shtoi se ndërmarrja e ngarkuar për ta bërë rrënimin dhe inspektorati do të qëndrojnë afër pompës për ta vëzhguar dinamikën e realizimit të largimit të materialit.

“Në  momentin që kjo nuk plotësohet atëherë komuna do t’ia fillojë rrënimit”, tha ai.

Komuna thotë se objekti është i ndërtuar pa leje pas datës 30 gusht 2013 dhe sipas ligjit për ndërtim ky objekt nuk mund të futet në proces të legalizimit.

Sveçla shtoi se ekzekutimi i vendimit për rrënim është çështje ditësh.

Nga ana tjetër, menaxheri i pompës së Benzinës “Al- Petrol”, Lulzim Kryeziu, tha se vendimi i komunës për rrënimin e objektit është shumë i ngutshëm.

“Unë nuk e kuptoj këtë vendim kaq të ngutshëm, kur objekti është veç në funksion, është pronë private, ka ekzistuar prej vitit 2002. Vetëm është ndërruar destinimi prej asaj që ka qenë dyqan depo dhe është shndërruar në pikë karburanti”, tha Kryeziu.

Ai tha se ka bërë një padi në gjykatë, dhe në këtë rast pretendon se inspektorati i ndërtimit nuk ka të drejtë të rrënimit deri në vendimin e gjykatës.

“Objekti është duke funksionuar dhe është në pronë private në të cilin është paguar tatimi në pronë dhe të gjitha obligimet tjera”, tha ai.

I pyetur se a do ta rrënojnë objektin, Kryeziu tha se do të bashkëpunojmë me komunën dhe nëse kërkohet, do ta rrënojë.

Ai thotë se që nga viti 2007 i ka hyrë procesit të legalizimit të kësaj prone.

“Ne do të veprojmë në bashkëpunim me komunën. Normalisht se nuk do t’i kundërshtojmë, faktikisht do të bashkëpunojmë në aspektin e ligjit”, shtoi Kryeziu.

Edhe pronari i tokës, Sylejman Islami, tha se objekti është i ndërtuar prej vitit 2002, kurse tani vetëm i është bërë ndërrimi i destinimit.

Por, ai nuk tregoi se a është ky objekt në procedurë të legalizimit.