“Grupit të Drenicës” i Vazhdohet Paraburgimi Për Dy Muaj

Të akuzuarit për krime lufte të “Grupit të Drenicës” do të qëndrojnë në paraburgim deri më 23 shtator. Kështu vendosi gjykata në seancën e së mërkurës. Mbrojtësi i Sami Lushtakut Ingo Risch kërkoi të martën që klientit të tij t’i ndërpritet paraburgimi për arsye shëndetësore.

Kryetari i trupit gjykues Darius Silicki bëri të ditur se të akuzuarve për krime lufte të “Grupit të Drenicës” u është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj.

Sipas Silickit ata do të qëndrojnë prapa grilave deri më 23 shtator, ndërsa mbrojtja do të marrë me shkrim arsyet pse të pandehurve u është zgjatur paraburgimi.

Të martën mbrojtësi i Sami Lushtakut Ingo Risch kërkoi që klientit të tij t’i ndërpritej masa e paraburgimit, duke e arsyetuar këtë kërkesë me gjendjen jo të mirë shëndetësore të kryetarit të Skenderajt.

Në atë seancë prokurori Michalczuk reagoi duke thënë se gjendja shëndetësore e Lushtakut në bazë të ekspertizës mjekësore nuk është e keqe, ndërsa kryetari i trupit gjykues tha se për çështjen e paraburgimit të Lushtakut dhe të tjerëve do të vendoset të mërkurën. Ashtu si edhe ndodhi.

Gjatë seancës “Dëshmitari L” e vazhdoi dëshminë.

Ai përshkroi momentin e marrjes së “Dëshmitarit A” që e ka vëlla, nga ushtarë të veshur me uniforma të UÇK-së. Tha se kjo ndodhi derisa kombajna ishte duke korrë grurin në arën e të ndaluarit.

“Kur e kanë marrë [Dëshmitarin A] ai ishte duke korrë grurin bashkë me gruan dhe një vajzë”, tha “Dëshmitari L”.

Ai këtë veprim e quajti kidnapim, ndërsa tha se ishte duke fjetur, kur ndodhi një gjë e tillë.

“Masanej kam dalë edhe unë e kam pa kerrin duke u largu me shpejtësi të madhe në drejtim i lindjes”, tregoi dëshmitari.

Ai për ta mësuar se ku po ia dërgonin vëllanë bëri me dije se filloi të vrapojë pas makinës, bashkë me motrën e tij dhe djalin njëmbëdhjetëvjeçar të vëllait.

Pastaj tha se shkoi në Likovc te magazina e materialit ndërtimor ë po shërbente si qendër ndalimi. Një ushtari që i doli përpara i tregoi se kishte ardhur të interesohej për të vëllanë, duke marrë përgjigjen se tash “Dëshmitari A” vetëm do të merrej në pyetje dhe do të lirohej nga mbrëmja.

Pasi dëgjoi këtë nga roja e magazinës, “Dëshmitari L” vendosi të presë derisa t’i lirohej vëllai. Në ndërkohë nga jashtë te kjo magazinë u fut Nuhi Geci, vëllai i të akuzuarit Sabit Geci.

“Dëshmitari L” tha se e pyeti edhe Nuhi Gecin për fatin e të vëllait, duke marrë përgjigje të ngjashme si ato të ushtarit që e takoi pranë depos së materialit ndërtimor.

“Nuk kena me e prek kurrkush, kena me e liru, vetëm do t’i zbatojmë procedurat e marrjes në pyetje.

Por sipas dëshmitarit kishte ardhur mbrëmja dhe vëllai nuk i ishte liruar.

Të akuzuarit e “Grupit Drenica” mes tjerash ngarkohen ehe se detyruan dëshmitarët A dhe B të rrihemn mes vete dhe e pickuan me një mjet të hekurt për organe gjenitale “Dëshmitarin A”, duke e tërhequr zvarrë nëpër dyshemenë e qendrës së ndalimit.

11:50

Dëshmitari Lejohet të Shkojë në Funeral

Në gjykimin për krime lufte të “Grupit Drenica” filloi dëshminë e tij “Dëshmitari L”. Ai kërkoi që të lirohet prej orës 13:00-15:00 për të marrë pjesë në një funeral. Gjykata respektoi kërkesën e tij.

“Dëshmitari L’ që është vëllai i “Dëshmitarit A” tha në gjykatore se EULEX-i me detyrim ia ishte marrë deklaratën, kur u pyet nga prokurori Michalczuk se sa herë ka dhënë deklaratë në polici e prokurori.

“Kam dhanë deklaratë vetëm njëherë para prokurorit Salustro. Më kanë marrë me zor me dhanë atë deklaratë”, tha “Dëshmitari L”.

Prokurori më tutje tha se para vetes i kishte dy deklarata të këtij dëshmitari, njërën të dhënë në korrik, e tjetrën në tetor të vitit të kaluar, ndërsa pyeti “Dëshmitarin L” nëse kishte dhënë më shumë se njëherë deklarata.

Dëshmitari përsëriti të njëjtat fjalë. “Unë po tham e kam dhanë veç një deklaratë. Atë që më keni marrë me zor”, tha ai.

“Dëshmitari L” treoi se megjithatë ka nënshkruar deklaratën që pretendon se e dha nën presion.

Kjo kundërshti prokuror-dëshmitar, nxiti reagimin e Megjid Sylës, mbrojtësit të Jahir Demakut që në këtë proces akuzohet në bashkëkryerje për detyrim të rrahjes mes dëshmitarëve A dhe B dhe për kapje të “Dëshmitarit A” për organet gjenitale me një mjet të hekurt dhe zvarrisje të tij nëpër dysheme.

Syla kërkoi të dijë se prej cilës deklaratë prokurori po e merr në pyetje dëshmitarin. Kryetari i trupit gjykues Silicki refuzoi kundërshtimin e avokatit me arsyetimin se prokuori po e pyet dëshmitarin në lidhje me atë që ka ndodhur në fshatin ku jetonte “Dëshmitari L”.

Më pas “Dëshmitari L”, i kërkoi leje gjykatës që të lirohet prej orës 13:00 deri në 15:00, pasi planifikonte të merrte pjesë në një funeral.

Gjykatësi Silicki pranoi kërkesën e dëshmitarit, duke thënë se njohim dhe respektojmë traditat tuaja.

Seanca sipas Silickit do të zgjasë vetëm deri në orën 13:00 për të vazhduar nesër.