Auditori Shpërfillet nga Prokuroria dhe Komunat

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Transparency International Kosova (TIK) publikuan analizën e raportit të auditimit për pasqyrat financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm  për vitin 2013 për komunat e Kosovës.

Isuf Zejna i KDI-së tha se analiza është e fokusuar në fushën e prokurimit publik, në gjetjet që potencialisht kanë shkaktuar humbje të parasë publike nga komunat dhe adresimin e rekomandimeve të ZAP për vitin paraprak.

Ai u shpreh se analiza ka theksuar se shkeljet më të shpeshta, që sipas tij janë, mosrespektimi i kritereve të vendosura në dosjen e tenderit gjatë vlerësimit të ofertave, pagesa potencialisht të parregullta dhe humbje financiare për komunën, vonesa në realizimin e projekteve sipas afateve të parapara me kontratë,  mos-vazhdim në rast të vonesave, apo mungesë e sigurimit të ekzekutimit të kontratës, ndarja e tenderëve për blerjen e artikujve identik për të shmangur procedurat e prokurimit.

Nga ana tjetër, Artan Canhasi , menaxher i programeve në KDI, tha se analiza e gjetjeve të auditorit ka treguar se adresimi i rekomandimeve të ZAP për vitin 2012 është në nivel shqetësues.

“Nga 425 rekomandime për të gjithë 38 komunat, vetëm 113 janë adresuar plotësisht. 203 rekomandime nuk janë adresuar fare, kurse 109 janë adresuar pjesërisht”, tha Canhasi.

Sipas tij, mos adresimi i rekomandimeve, ndër të tjera, shkakton përsëritjen e shkeljeve të njëjta, humbje të parasë publike dhe mungesë të kontrolleve.

Canhasi tha se problemi kryesor i shkeljeve nga ana e komunave gjatë prokurimit publik është tek institucionet e drejtësisë.

“Institucionet e ndjekjes prokuroria dhe policia duhet t’i kushtojnë vëmendje raporteve të auditorit dhe t’i identifikojnë rastet kur ka shkelje, kur ka vjedhje të parasë publike dhe në këtë mënyrë personat përgjegjës duhet të dalin para ligjit”, tha ai.

“Paratë të cilat janë humbur nga komunat, këto të holla kanë shkuar diku dhe dikush ka përfituar drejtpërdrejt nga ky fenomen”, u shpreh Canhasi.

Edhe Isuf Zejna tha se në raportet paraprake të KDI-së është parë se Zyra e Auditorit të Përgjithshëm dhe Prokuroria e Kosovës kanë një nivel të ulët të komunikimit.

“Prokurorët në shumë raste as nuk i lexojnë raportet e auditimit për shkak se janë voluminoze, ata janë të mbingarkuar më lëndë dhe nuk ju kushtojnë vëmendje të duhur raporteve të auditorit, në anën tjetër edhe vet auditori nuk e informon në mënyrë zyrtare prokurorinë për raste më të rënda ose rastet kur konsiderohet ka shkelje materiale”, tha Zejna.