Peja Fryn Faturën e Kontratës së Nënshkruar

Në një kontratë me vlerë prej 225 mijë e 078 eurosh Komuna e Pejës sipas raportit të auditorit për vitin e kaluar për disa artikuj nuk i kishte respektuar çmimet e kontratës gjatë faturimit, duke paguar më shtrenjtë ata.

“Vaji i motorit me kontratë kishte çmimin 8€/litër ndërsa ishte faturuar me çmim 15€. Në katër raste ora e punës sipas kontratës ishte 30€ ndërsa ishte faturuar 34.80€, pasi ishte llogaritur edhe TVSh-ja. Në një rast tjetër Moduli i ndërrimit të motorit për veturën e tipit Opel Vectra në kontratë kishte çmimin 245€ për copë, ndërsa ishte faturuar 1,100€ për copë”, janë të gjeturat e auditorit për këtë kontratë.

Për këtë raport që ka gjetur edhe shkelje tjera nuk deshi të flasë Ali Berisha ish-kryetari i Pejës që drejtoi këtë qytet të Rrafshit të Dukagjinit deri në fund të vitit të kaluar. Ai autorizoi për ta vlerësuar raportin ish-drejtoreshën e Buxhetit dhe të Financave Afërdita Grapcin.

Duke e cilësuar raportin e auditorit për vitin 2013 të shkëlqyeshëm, ajo mohoi për KALLXO.com se ishte përgjegjëse për shikimin e kontratave.

“Kontrolli i kontratave nuk o mvar nga unë asniherë, unë si kam kontrollu kontratat e as nuk kam marrë pjesë në tenderë”, thotë Grapci.

Për keqmenaxhimin e kontratave pajtohet me auditorin edhe Gazmend Muhaxheri, kryetari i tashëm i Pejës.

“Nuk ka pasur kontroll të mirëfilltë të punëve që janë kry, për me e zbatu këtë kontroll të mirëfilltë ne kemi punësu në kontratë 6 mujore 6 inxhinierë për me mujtë me i kontrollu projektet që janë tash në zbatim”, thotë Muhaxheri.

Auditori në Pejë ka gjetur edhe dobësi prokurimi.

“Te tenderi ‘Asfaltimi i rrugëve’ është bërë shpërblimi i operatorit me kontratë pa i plotësuar kërkesat teknike dhe profesionale, siç janë kërkuar në dosjen e tenderit, si: diploma për menaxherin e projektit dhe lista e punëtorëve të lajmëruar në Administratën Tatimore të Kosovës”, thuhet në raport.

“Edhe te katër kontrata ‘Renovimi dhe rindërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare’, ‘Ndërtimi i Ujësjellësit në fshatin Dugajevë’, ‘Renovimi i Teatrit – Istref Begolli, faza e III’ dhe ‘Ndërtimi i objektit për ndërmarrje lokale publike ‘Ambienti’ vlera e mjeteve të zotuara është më e vogël se sa vlera e kontratave”, gjen shkelje tjera raporti.

Shkeljet i mohon Afërdita Grapci.

“Nuk janë as gabime e as keqmenaxhim, mirëpo janë disa të gjetura të cilat duhet të plotësohen në vazhdimësi”, ka vlerësuar Grapci, duke thënë se financat në Pejë kanë qenë në gjendje shumë të rëndë kur ajo mori detyrën në vitin 2008.

Kryetari aktual i Pejës Gazmend Muhaxheri shkeljet në prokurim i lidh me mungesën profesionalizmit në Zyrën e Prokurimit të komunës.

“Vetëm një një zyrtar i prokurimit është profesional që mund të kryej punë të prokurimit dhe të nënshkruaj kontrata, ndërsa pesë punëtorë të tjerë janë vetëm punëtorë ndihmës në njësinë e prokurimit”, shpjegon Muhaxhiri.

Auditori ka gjetur se në një kontratë të Komunës së Pejës janë përdorur gypa më të ngushtë se ata që janë paraparë në tender, ndërsa pagesa është bërë për gypat e parashikuar në kontratë.

“Në një rast blerja e gypave për ujitje është dashur të jenë me dimension φ,300. Ne kemi vërejtur se janë pranuar gypa φ, 250, kurse çmimi është faturuar dhe paguar, si për gypa φ, 300. Pra çmimi i paguar nuk e reflekton kundërvlerën e asaj çka është pranuar”, thuhet në raportin e auditorit.

Për gypa më të ngushtë nëpër të cilët kalojnë ujëra të zeza janë ankuar edhe banorët e Lagjes “Fidanishte”.

Ismet Gjurkaj banor i kësaj lagjeje thotë se në kohën kur është investuar në lagjen e tij, punët janë kryer me të meta.

“Gypat sipas mendimit tim janë të dimensionit i cili nuk mund t’i përmbushë obligimet e kësaj lagjeje, ngase me atë dimension çfarë i kanë vu këtu mendoj se nuk janë gypa të dimensionit të duhur, dhe unë sa jam i informum gypat janë të dimensionit 200, e që o dashtë me qene më të mëdhenj”, thotë ai.

Gjurkaj frikohet se kur dy ndërtesa të reja të ndërtuara në “Fidanishte” të hyjnë në sistemin e ujërave të zeza, do ta nxjerrin jashtë përdorimit këtë sistem.

Sipas auditorit Pejës po i rritet borxhi i tatimit në pronë.

“Komuna e Pejës ka ngecje nga llogaritë e pambledhshme nga tatimi në pronë, të cilat po rriten nga viti në vit dhe tani arrijnë shumën 8 milionë e 16 mijë e 674 euro”, vlerësohet në raport.

Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri thotë se në të gjitha komunat ka rritje të tatimit në pronë, si pasojë e regjistrimeve të pronave të paqena më herët përmes procesit të formularëve.

Auditori kritikon Komunën e Pejës edhe për mosregjistrimin e pasurisë komunale.

“Pasuritë në pronësi të Komunës nuk janë identifikuar dhe regjistruar në regjistrat e pasurive, duke rezultuar kështu në anomali materiale në shënimet e pasurive në PVF. Mosregjistrimi i të gjitha pasurive do të rezultojë në nënvlerësim material të vlerave të pasurive në PVF. Është vërtetuar se ky rrezik ekziston dhe komuna ende nuk ka arritur ta adresojë, ashtu siç kërkohet me rregullat e Thesarit”, thuhet në raport.

PVF është shkurtesa për pasqyrat vjetore financiare.

“Që nga viti 2009 Komuna e Pejës çdo vit ka formuar komisionin i cili ka bërë vlerësimin dhe regjistrimin e pronave, mirëpo ky është një proces i cili do shumë investime”, thotë Grapci, ish-drejtoresha për Buxhet dhe Financa e Pejës.

Grapci arsyetohet se probleme me regjistrimin e pasurisë kanë të gjitha komunat e Kosovës. Për këtë pajtohet me të edhe Gazmend Muhaxheri.

“Një pjesë e raportit është vështirë me u përmirësu, sidomos vlerësimi i pasurisë së komunës, sepse nuk ki kriter në bazë të të cilit duhet me u matë pasuria e komunës. Duhet me ekzistu një ekip i posaçëm i cili mundet me vlerësu sa kushton ndërtesa e komunës tonë, kurse s’ki treg të patundshmërive në nivel të Kosovës, qysh mundet me u përcaktu ajo”, vlerësoi Muhaxheri.

Auditori ka regjistruar shkelje edhe gjatë renovimit të një xhamie.

“Komuna kishte subvencionuar meremetimin e xhamisë së qytetit me vlerë 16,739€. Pagesa është bërë në llogarinë e personit fizik, e jo në llogarinë e bashkësisë islame”, gjen raporti.

Këtë rast kryetari Muhaxheri e ka cilësuar si njërin nga rastet tjera, në të cilat sipas tij u janë dhënë para njerëzve për punët që nuk i kanë kryer.

Ai beson se një pjesë e madhe e të gjeturave të auditorit nuk do të jenë të gjetura të vitit të ardhshëm dhe premton se raporti i vitit 2014 do të jetë dukshëm më i mirë.