Mungesa e Kompanisë Servisuese Lë në Pritje të Sëmurët me Kancer

Agron Shala nga fshati Poterqë i Klinës, i cili ka kohë që është duke e trajtuar nënën e tij në Klinikën Onkologjike në Prishtinë, është i irrituar nga mosfunksionimi i aparaturës së kësaj Klinike.

Ai thotë se e ëma është duke pritur që nga prilli në rend për të bërë radioterapitë, ndërsa të hënën është dashur që ato të fillojnë.

“Prej të hanës më kanë thirrë, sot është e katërta ditë, të hanën s’ka mujt mu bo se po thojnë për shkak të një defekti jo s’po punon aparati. Të martën e ka bo për herë të parë, të mërkurën prapë se ka bo, sot kemi ardhë prapë s’e di a po bohet a jo”, tha Agron Shala.

Sipas tij stafi mjekësor në onkologji është arsyetuar se faji nuk është te ta, por diku më lart, sepse askush nuk vjen ta rregullojë aparatin.

“Që dy javë kanë thanë u ndreq e prishet ka tri herë ose katër herë në ditë,  para dy jave u kon tre jave pa ndërpre i prishtë” tha Agroni

Behxhet Osmani, drejtor i Klinikës Onkologjike e pranon se në këtë klinikë ka prishje te shumta të aparaturës, sepse siç thotë ai ka dy vjet që Onkologjia nuk kanë pasur ndonjë marrëveshje kontraktuese me ndonjë kompani për mirëmbajtjen e aparaturës.

“Ka dy vjet që ne nuk kemi pasur servisim të rregullt të aparaturës, nuk kemi pasur kontratë me ndonjë kompani që e mirëmban aparaturën. Aparatura është e ndjeshme dhe për çdo moment ndodhin defekte”, tha Osmani.

Sipas tij Klinika Onkologjike nuk është përgjegjëse për të kontaktuar ndonjë kompani për mirëmbajtjen e aparaturës.

“Ne e kemi bë kërkesën për servisim të aparaturës me pas kompani dhe serviserë që e mirëmbajnë aparaturën. Drejtoria Ekzekutive dhe Ministria e Shëndetësisë kanë shpallë tender, por mandej janë prolongu”, tha doktor Osmani

Shpend Fazliu zëdhënës i QKUK-së,  tha se tri herë ka dështuar tenderi për shërbimet e servisimit në Onkologji.

Sipas tij, autoriteti kontraktues ka publikuar njoftimin për kontratë për herë të parë me datën 11 qershor 2012.

Ky tender ishte anuluar, meqë ka pasur vetëm një operator ekonomik të përgjegjshëm.

Herën e dytë  aktiviteti i prokurimit është anuluar  në shkurt të vitit 2013, ndërsa në qershor të të njëjtit vit ai anulohet për herë të tretë.

Sipas Fazliut, tenderi i katërt me radhë është mbyllur dhe është shpallur fituesi, ndërsa ende janë në pritje të ankesave eventuale.

Në vitin 2011 ka qenë hera e fundit kur aparaturat radiologjike kanë qenë të kontraktuara për servisim, sipas zëdhënësit të QKUK-së.

Vitin e kaluar në Klinikën Onkologjike janë trajtuar 35 mijë pacientë, ndërsa 22 prej tyre janë dërguar për shërim jashtë vendit.