PDK-ja Lëshon Seancën

Sipas gazetares së KALLXO.com, përfaqësues të LDK-së e AAK-së po bisedojnë me ata të minoriteteve.

Drejtuesja e seancës, Flora Brovina, pasi ka dalë nga salla, është kthyer prapë dhe ka zënë vendin e kryesueses, por pa lënë që të vazhdohet seanca.

10:48

Betohen Deputetët

Flora Brovina e konsideron këtë pjesën më solemne të seancës.

Secili nga deputetët betohet në gjuhën e vet.

Ajo po e lexon tekstin e betimit që kërkon mbrojtjen e tërësisë territoriale, kushtetutshmërisë dhe ligjeve të Kosovës. deputetët në fund përgjigjen me “Betohem!”.

Deklarata e betimit i shkon sekretarisë së Kuvendit.

Miratohet Raporti i Verifikimit të Deputetëve

Kuvendi i Kosovës ka miratuar raportin e verifikimit të mandateve të deputetëve.

Memli Krasniqi në emër të Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve të Deputetëve me një votë kundër dhe një abstenim certifikoi 120 deputetë të 15 koalicioneve dhe partive politike.

Të pranishëm në Kuvend janë të gjithë 120 deputetëve, ndërsa Memli Krasniqi rekomandon Kuvendin të verifikojë mandatin e deputetëve.

Votimi dështoi një herë, por deputetët u mblodhën sërish dhe e votuan raportin në mënyrë unanime.

Pas miratimit, deputetët dhanë betimin.

11:25

Vjosa Osmani e Quan PDK-në Uzurpatore

Deputetja nga LDK, Vjosa Osmani, tha për KALLXO.com se deshi të flasë për të kundërshtuar atë që e quajti shkelje nga kryesuesja Flora Brovina.

“Nuk patëm mundësi që të sqarojmë qëndrimin tonë rreth ulëseve që në emër të grupit parlamentar LDK-AAK-Nisma të shprehim kundërshtimin tonë ndaj mosrespektimit të rregullores në radhë të parë, mosrespektimit të vendimit të Kryesisë dhe skemës së përgatitur nga ana e Sekretariatit të Kuvendit”, shpjegoi Osmani.

Kryesia e Kuvendit të shtunën vendosi që grupi më i madh parlamentar është ai i këtyre tri subjektiveve që lidhën koalicion paszgjedhor më 10 qershor, dy ditë pas zgjedhjeve. Grupi më i madh parlamentar duhet të ulet në mes, por ato karrige zunë në fillim deputetët e PDK-së që ituan zgjedhjet e 8 qershorit.

Pë këtë veprim Osmani PDK-në e quajti uzurpatore.

“Të gjitha këto dëshmojnë se PDK-ja është uzurpatore jo vetëm e pushtetit por edhe çdo elementi të tij dhe uzurpatore e çdo institucioni dhe logjika e uzurpatorit dominon tek ta”, tha Osmani.

Ajo tha se për LDK-në-AAK-në e Nismën ka diçka më të rndëishme se ulëset në Kuvend.

“Për neve më e rëndësishme se ulëset në kuvend është demokracia, fuqia e votës që e përfaqëson ky grup parlamentar prej 47 deputetëve”, shtoi Osmani.

Ajo tha se nëse i lejohet këtij grupi do të propozojë kandidatin për kryeparlamentar Isa Mustafën.

“Ne siç e dini e kemi kandidatin tonë i cili është Isa Mustafa ku shpresojmë se pas propozimit ta marrë përkrahjen e kuvendit. Në të kundërtën ne do të shfrytëzojmë  çdo mjet juridik për ta kundërshtuar këtë vendim antikushtetues”, tha Osmani.

Ajo tregoi se bisedimet me “Vetëvendosjen” do të vazhdojnë

“ Ne jemi në diskutime edhe me lëvizjen ‘Vetëvendosje’ dhe ato vazhdojnë. Shpresojmë në një bashkëpunim të frytshëm në të ardhmen”.

10:48

Flora Brovina e Konsideron PDK-në si Grupin më të Madh Parlamentar

Udhëheqësja e Kuvendit dhe deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka ftuar për herë të parën grupin e PDK-së dhe të koalicionit për propozimin e një anëtari të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.

Pati kundërshtime nga ana e përfaqësuesve të bllokut opozitar LDK- AAK- NISMA për shkelje të vendimit të miratuar nga Kryesia e Kuvendit që e përcakton këtë grup si grupin më të madh parlamentar.

Po ashtu, pati kundërshtime edhe nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Vjosa Osmani  bë emër të koalicionit LDK-AAK-NISMA kërkoi një  raport nga Flora Brovina pse po shkelet vendimi i Kryesisë së Kuvendit.

Edhe Visar Ymeri në emër të Vetëvendosjes kërkoj sqarim se pse po shkelet ky vendim.

Adenm Grabovci në emër të PDK-së propozoi si anëtar të komisionit të përkohshëm, deputetin Memli Krasniqi.

Vjosa Osmani, në emër  të grupit të përbashëkt LDK- AAK- NISMA propozoi anëtarin e përbashkët të komisionit, Armend Zemaj.

Grupi i Vetëvendosjes propozoi Albulena Haxhiun.

Propozime kanë dhënë edhe përfaqësues të subjekteve politike të pakicave që përfaqësohen në Kuvend.

10:45

PDK Ruan Qendrën, Nuk Del në Pauzë

Deputetët e PDK-së dhe partive në koalicion me të nuk kanë dalë në pauzën që e kërkoi kryesuesja Flora Brovina.

Ata që janë vendosur në ulëset e mesit, aty ku është vendi për deputetët e grupit më të madh parlamentar, po i ruajnë me qëndrim ulur ato ulëse.

Deputetët në Pauzë

Kryesuesja e seancës inauguruese të Kuvendit, Flora Brovina, ka shpallur një pauzë 15 minutëshe pas përfundimit të pikës së parë të rendit të ditës për caktimin e emrave të Komisionit për Verifikimin e Mandateve.

10:05

LDK e VV Denoncojnë Shkeljen e Vendimit të Kryesisë së Kuvendit

Kryesuesja e seancës, Flora Brovina ka hapur seancën inauguruese duke përshëndetur të pranishmit në sallë.

Brovina nuk ia dha fjalën deputetes së LDK-së, Vjosa Osmani. Kjo e fundit ka qëndruar në foltore për disa minuta duke pritur që kryesuesja e seancës ta përfundojë fjalimin.

Ajo nuk lejoi debat pasi tha se kjo nuk është mbledhje e zakonshme, ndërsa Vjosa Osmani po përgatitej ta merrte fjalën në foltore.

Vjosa Osmani ka kërkuar që të evidentohet shkelja e vendimit të kryesisë së Kuvendit për ndarjen e ulëseve në Kuvend.

Të njëjtën kërkesë e ka pasur edhe deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

09:57

Deputetët e PDK’së Zënë Ulëset e Mesit

Disa Deputetë të PDK-së kanë hyrë në sallën e Kuvendit të Kosovës dhe janë ulur në ulëset në mes të sallës.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, të shtunën, ka vendosur që ulëset në rreshtin e mesëm i takojnë grupit parlamentar LDK-AAAK-NISMA por PDK pretendon se është grupi më i madh parlamentar në bazë të rezultatit të zgjedhjeve.

LDK Ulet në të Djathtë

Deputetët e LDK-së kanë hyrë në sallën e Kuvendit dhe janë ulur në anën e djathtë të kryesuesit të seancës, aty ku kanë qenë të ulur edhe gjatë legjislaturës së kaluar, raporton gazetari i KALLXO.com nga salla e Kuvendit.

Ramush Haradinaj Ulet Afër Isa Mustafës

Kryetari i AAK-së dhe i kandiduari për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe deputetët e partisë së tij, kanë zënë vendet bashkë me deputetët e LDK-së të cilët e përbëjnë grupin e përbashkët parlamentar.

Haradinaj është ulur krah Isa Mustafës në rreshtin e parë të ulëseve.

Pjesë e këtij grupi parlamentar janë edhe deputetët e NISMA-s.