Dita e Kuvendit

Në këtë seancë do të shqyrtohen pikat e rendit të ditës të përcaktuara nga Kryesia e vjetër e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e së shtunës.

Seancën do ta drejtojë deputetja nga PDK, Flora Brovina, si deputetja më e moshuar e legjislaturës, e ndihmuar nga kolegia e saj nga LDK, Teuta Rugova, si deputetja më e re.

Brenda katër pikave të rendit të ditës përfshihen formimi i Komisionit të përkohshëm parlamentar për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve; dhënia e betimit të deputetëve; njoftimi për formimin e grupeve parlamentare; dhe zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Aktualisht është vetëm një propozim zyrtar për postin e kryetarit të Kuvendit. Isa Mustafa është propozuar nga koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-NISMA për pozitën e të parit të Kuvendit, ndërsa PDK nuk e ka bërë ende të ditur kandidaturën e vet.

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e së shtunës ka përcaktuar grupin e përbashkët parlamentar LDK-AAK-NISMA si grupin më të madh parlamentar, me 47 anëtarë.

Në bazë të grupit më të madh parlamentar, Kryesia e Kuvendit ka përcaktuar që deputetët e grupit të përbashkët parlamentar LDK-AAK-NISMA, të ulën në mes të sallës së Kuvendit. Kurse, ata të koalicionit PDK-PD-LB-PSHDK- PKK në anën e majtë, ndërsa deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të komuniteteve në anën e djathtë.

Deputetët e grupit më të madh parlamentar zakonisht ulën në mes të sallës së Kuvendit.

Por kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi në shenjë pakënaqësie me ndarjen e bërë, të shtunën e kaluar lëshoi mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Pasi kishte dalë nga Salla, ai ka paraqitur një dokument të Sekretariatit të Kuvendit për ulëset e deputetëve në të cilin dokument PDK-ja del forca më e madhe në legjislaturën e re.

Grupi parlamentar i PDK-së së bashku me partitë e koalicionit kanë 37 deputetë. Ata pretendojnë së u takon atyre të ulën në mes të Sallës dhe të zgjedhin kandidatin për deputet.

Analistët thonë se pasi që të dyja grupet parlamentare pretendojnë se u takon mesi i sallës, mund të ketë ndonjë tensione në mes të deputetëve brenda sallës së Kuvendit.

“Ne nuk do të dëshironim të ndodhtë një gjë e tillë, por ekziston droja, drojë e bazuar në fakte”, tha për KALLXO.com profesori universitar, Riza Smaka.

Kurse, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se konfrontimi në mes të deputetëve do të ishte akt naiv.

“Mendoj që kjo do të ishte shumë naive prej cilës do palë të bënte konflikt qoftë edhe verbal sa i takon gjetjes së ulëseve në kuvend”, tha Korenica.

Nga ana tjetër, përfaqësues të partive politike dhe deputet kanë thënë se nuk do të vij deri të një konflikt në mes të deputetëve.

Kurse, Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se nëse është e nevojshme deputetët e partisë së tij do të qëndrojnë edhe në këmbë. Ai ka përjashtuar çdo mundësi tensionimi në Kuvend gjatë punimeve të seancës inauguruese.