Mbyllet Për Publikun Seanca e “Grupit të Drenicës”

Në seancë pritej të diskutohej për mënyrën se si do të paraqiteshin në seancë dëshmitarët. Se a do të dëshmonin ata me video-lidhje, apo duke qenë personalisht në gjykatore.

Shumica e dëshmitarëve të këtij gjykimi janë të mbrojtur dhe të koduar me shkronja alfabeti.

Seanca po vazhdon

11:54

Risch gjatë fjalës së tij hyrëse të premten kritikoi vendimin e gjykatës të marrë në muajin maj që Sami Lushtakun dhe të tjerët e “Grupit Drenica” t’i dërgojë në paraburgim në burgun e Mitrovicës Veriore, duke thënë se ende është i shqetësuar nga ai vendim.

Avokatin e kundërshtoi  prokurori Cezary Michalczuk.

“Në fjalët hyrëse të avokatëve mbrojtës nuk përfshihen vendimet e gjykatës çfarëdoqofshin ato”, tha Michalczuk.

Kundër fjalëve të avokatit të Lushtakut reagoi edhe kryetari i trupit gjykues Darius Silicki.

“Ajo se çfarë po flet është humbje kohe”, i tha Silicki Risch-it.

Lushtaku, bashkë me Sahit Jasharin dhe Ismet Haxhën ndodheshin në trajtim mjekësor në QKUK, kur gjykata vendosi që atta të transferohen në veri. Të shtruarit në spital e kundërshtuan vendimin, ndërsa vendimi u ndryshua më 22 maj, duke i dërguar tre të akuzuarit në burgun e Dubravës.

Më tutje Risch kërkoi lirimin e klientit të tij nga të gjitha akuzat.

“Mbrojtja thirret komplet në deklaratat e Sami Lushtakut se është i pafajshëm dhe si i tillë ne kërkojmë lirimin nga të gjitha akuzat”, tha Risch.

Sami  Lushtaku që fitoi edhe një mandat kryetari të Skënderajt në zgjedhjet e tre nëntorit 2013, duke qenë gjatë procesit zgjedhor në paraburgim, akuzohet për mbajtje në kushte çnjerëzore të të ndaluarve, për ekspopzim ndaj rrahjeve prej të të tjerëve të Dëshmitarit F dhe për vrasje të një civili të panjohur shqiptar. 

Por Ingo Risch tha se Lushtaku po akuzohet vetëm nga fjalët e një dëshmitari anonim.

“Neni 162, paragrafi 3 i Kodit Penal ndalon që dikush të dënohet nga dëshmia e vetëm një dëshmitari, i cili është anonim”, shpjegoi Risch.

Ai në fillim tentoi që fjalën e tij hyrëse t’ia dorëzojë gjykatës në mënyrë të shkruar, por gjyqtari Silicki e detyroi avokatin ta lexojë fjalën e përgatitur për shkak të nevojës së publikut për të ditur.

Në seancë të premten fjalën hyrëse e paraqiti edhe mbrojtësi i Avni Zabelit, Gani Rexha.

Rexha tha se klienti i tij nuk ndodhej në Likovc në kohën e përshkruar në aktakuzë.

“Provat që do t’ia ofroj këtij trupi gjykues do ta bindin se klienti im Avni Zabeli në qershor e korrik të vitit 1998 nuk ka qenë në Likovc dhe ka prova të panumërta se ai ka qenë në vijën e parë të frontit në Rezallë me forcat paramilitare serbe”, tha Rexha.

Ai tregoi se Avni Zabeli ishte plagosur më 5 gusht në këto luftime.

Zabeli akuzohet se ka qenë i pranishëm kur është rrahur Dëshmitari F dhe sipas aktakuzës ky dëshmitar është alivanosur nga rrahjet dhe i ka dalë gjak nga hunda dhe veshët.

“Aktakuza ndaj klientit tim me dëshminë e Dëshmitarit F nuk është e përforcuar me asnjë provë dhe si e tillë ka humbur vërtetësinë esaj. Deklarata e dëshmitarit është e shtrembëruar”, tha avokati Rexha.

Aktualisht gjykata është në pauzë, ndërsa pasdite pritet të diskutohet mes palëve për mënyrën e dhënies së dëshmisë nga dëshmitarët, duke qenë të pranishëm në gjykatore, ose me anë të video-lidhjes.

Shumica e dëshmitarëve në këtë gjykim janë të mbrojtur dhe të koduar me shkronja të alfabetit.