Limajt i Bashkohen Lëndët për Korrupsion

Anna Adamska Gallant kryetare e trupit gjykues tha se ka vendosur që lënda Pkr.84/14 e quajtur si MTPT 2 të bashkohet me lëndën MTPT 1.

“Ky vendim mbi bashkimin e lëndëve është marrë me qëllim të ekonomizimit dhe administrimit më të mirë të drejtësisë”, tha Gallant.

Në rastin MTPT 2 Limaj së bashku me Nexhat Krasniqin ish-shefin e Prokurimit në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomit dhe Endrit Shalën, ish-shefin e kabinetit dhe këshilltarin politik të tij akuzohen se formuan një grup të organizuar kriminal i cili kreu veprat e rënda penale të shpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfeteve.

Në këtë rast pëveç këtyre të treve me akuza të njëjta ngarkohet edhe Shpëtim Telaku, ndërsa Ali Aliu dhe Beqir Deda akuzohen për keqpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit.

Në MTPT1 LImaj, Krasniqi e Shala ngarkohen së bashku për krim të organizuar, shpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit dhe marrje të mites.

Për marrje të mites dhe keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi ngarkohet edhe Florim Zuka, ndërsa Limaj ka akuzë edhe për mosdeklarim të parave të fushatës.

Pas njoftimit për bashkimin e dy aktakuzave, gjyqtarja Gallant kërkoi nga prokuroria që të prezantojë listen e provave, e po ashtu edhe nga mbrojtja të paraqesë listën e dëshmitarëve.

Bajram Tmava mbrojtësi i Nexhat Krasniqit tha se sot ishte një seancë praktikishtë teknike, ku  kryetarja e trupit gjykues i njoftoi të pranishmit mbi bashkimin e të dy lëndëve.

“Ministria e Transportit që është nominu si Dosja 1 dhe Dosja 2, këto dy dosje do të trajtohen si një çështje penale dhe do të gjykohen të dyja në një”tha Tmava.

Tmava tha se sipas kryetares së trupit gjykues seanca e radhës do të mbahet pas katër muajsh.

Sipas Tmavës ende nuk dihet se cilat pika të akuzës janë hedhur poshtë, meqë ende nuk kanë marrë vendim për këtë, ai e quajti vendimin mbi bashkimin e lëndëve si favorizues.

“Sepse kemi të bëjmë me ekonomizimin e procedurës, do të zhvillohet një procedurë e përbashkët dhe sigurisht në një periudhë shumë ma të shkurtër  lënda do të përfundojë”, tha Tmava.

Limaj garoi për here të parë me subjektin politik të krijuar prej tij dhe Jakup Krasniqit-Nismën për Kosovën, duyke kaluar pragun zgjedhor prej pesë për qind.

Ai të hënën iu drejtua simpatizantëve të këtij subjekti duke I falënderuar për daljen në zgjedhje dhe votën.