Digjet Autobusi, Udhëtarët-Fëmijë Shpëtojnë (TV)

Nga  ky aksident nuk është lënduar askush pasi me kohë fëmijët janë larguar nga autobusi.

Ekipet e zjarrfikësve menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes duke e shuar zjarrin, ndërsa rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti.

Ngjarja sipas Zahitit ka ndodhur në kilometrin e dymbëdhjetë të rrugës nga Mitrovica drejt fshatit Bajgorë, rreth orës 11:00.

Drejtori i Departamentit të Emergjencave në Komunën e Mitrovicës Musa Daka thotë se shkaqet e aksidentit ende nuk dihen.

“Djegia e autobusit ka ndodhur gjatë rrugës për ekskursion në Bajgorë”, shpjegoi Daka për Gazetën Jeta në Kosovë.

Arsyen pse u dogj autobusi, nuk e di as shoferi i tij.

“Gjatë rrugës kam ndi një zhurmë ma ndryshe në motor. Në atë rast kam ndalë autobusin dhe kam marrë nxënësit e i kam zbritur në tokë. Gjatë kësaj procedure e kena pa që pjesën e motorit po e përfshin zjarri”, thotë shoferi Naim Ferati

Autobusi ishte duke dërguar nxënësit e klasës së dytë dhe të tretë të shkollës fillore “Eqrem Çabej”  në fshatin Bajgorë për një shëtitje.