Rihapet Lënda për Krime Lufte në Novobërdë

Slobodan Martinoviq tha se ushtria ishte e vendosur nëpër shtëpi, shkolla, tenda, mal e ku jo se dhe se njëri nga të paraburgosurit i kishte pasur duart e lidhura me një lloj teli apo konopi.

Martinoviq në pyetje të prokurores Merita Bina-Rugova tha se në prill të vitit 1999 në komunën e Novobërdës ishin nëpër shtëpi shumica e shqiptarëve, por kishte edhe  nga ata që kishin ikur.

Ai tha se në luftë kishte qenë i mobilizuar si vozitës i ushtrisë.

“Gjatë luftës kam qenë i mobilizuar si vozitës. Këtë e kam profesion dhe kam punuar në kuzhinën e ushtrisë”, tha Martinoviq.

Në pyetje të prokurores Bina, Martinoviq tha se në fillim kishte vozitur një traktor e pas 10 ditëve një kamion të markës “Mercedes”, me të cilin kishte bartur ushqim për ushtrinë.

Sipas tij, uniforma e bartur nga ai ishte uniformë e vjetër me ngjyrë ulliri.

“Nuk kam pasur grada, por është e vërtetë se kam qenë i armatosur”, tha Martinoviq.

Pyetjes së prokurores se ku ishte e vendosur ushtria, Martinoviq iu përgjigj: ”Ku nuk ishte se- çdokund: në mal, në shkolla, nëpër shtëpi, tenda”.

“Shkolla në Novobërdë ishte shfrytëzuar nga ushtria për të fjetur”, tha Martinoviq.

Sipas tij, ai kishte shkuar në shkollë për t’i dërguar ushqim Selatin Beqirit- një i arrestuar nga forcat serbe, por nuk e kishte parë, ndërsa herën e parë e kishte takuar te kampi i quajtur”Prekolica”.

Slobodan Martinoviq tha se për arrestimin e Selatin Beqirit dhe një personit tjetër (Haqif Demollit) kishte mësuar nga Bora Filiq.

“Në Novobërdë nuk ka pasur njësi paramilitare ose policore, ndërsa në vende tjera nuk e di”, tha Martinoviq.

Ai tha se u kishte dërguar ushqim edhe Rasim Bajrës, Rexhep Bunjakut dhe Fatmir e Ymer Ymerit të cilët ishin paraburgosur në një lokal afër postës.

Prokurorja Merita Bina-Rugova e pyeti Martinoviqin se pse ishin arrestuar këta persona.

“Nuk e di pse ishin paraburgosur dhe as që kam mundur ta di. Unë nuk isha kapiten, por një vozitës pa ndikim dhe nuk ishte detyrë imja të pyes se kush po arrestohet”, tha Martinoviq.

Sipas Martinoviqit personi me emrin Vlada Trajkoviq e kishte arrestuar Selatin Rexhepin.

“Vlada ishte në njësinë rezervë të ushtrisë”, tha Martinoviq.

Ai u përgjigj edhe në pyetjen se si ishte gjendja e Selatinit dhe Haqifit kur i kishte takuar në kampshtëpizë.

“Selatini nuk ishte keq, i kishte duart e lira, ndërsa Haqifi kishte dy-tri gërvishtje në fytyrë dhe duar të lidhura”, tha Martinoviq.

Ai më pas specifikoi se Haqifi i kishte duart e lidhura “me një si lloj teli apo konopi”, por jo me ndonjë lloj zinxhiri për heqjen e të cilit duhet çelës.

“Nëse don me ditë gjykata, roja që e ruante Selatinin ishte Zhivorad Stojkoviq, fqinj i Selatinit i cili jeton në Smederevë”, tha Martinoviq.

Martinoviq tha se nga Selatini kishte kërkuar një shërbim meqë ai punonte në Zyrën e Kadastrës në komunë.

“Pas një muaji unë jam arrestuar dhe në vend se të më përgatiste dokumentet ai ma përgatiti arrestimin”, tha Martinoviq.

“Akuza është e motivuar politikisht, (është) e fabrikuar sepse me Selatinin kemi pasur raporte të mira si para luftës ashtu edhe pas luftës”, tha Martinoviq.

Gjykimi do të vazhdojë më 14 dhe 15 korrik kur do të merren në pyetje edhe dy të akuzuarit tjerë Sreçko Martinoviq dhe Svetlana Stojanoviq.