Kryetari i Dragashit dhe Konsulli në Sofje Dalin Para Gjykatës

Dita e premte ishte rezervuar për të dëgjuar përfaqësuesin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Fahredin Purova, në cilësinë e dëshmitarit.

Ai foli për vendimet e kësaj agjencie lidhur me pronat e ndërmarrjes “Sharr Prodhimi”.

“AKP-ja, Zyra Rajonale në Prizren më 17 shtator 2009, i ka dërguar një shkresë kryetarit të Komunës së Dragashit, me të cilën është kërkuar që të anulohet vendimi i Kuvendit Komunal të Dragashit, i cili ka të bëjë me pronat e ‘’Sharr Prodhimit’’ të Dragashit’’, tha Purova.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren e ngarkon kryetarin e Dragashit, Salim Jenuzin, dhe ish-kryesuesin e kuvendit komunal Lulzim Rifajn, aktualisht konsull në Ambasadën e Kosovës në Sofje të Bullgarisë, se më 27 gusht 2009, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për tjetrin, i kanë shkaktuar dëm ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhimi” në Dragash, e cila është nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

“Ne kemi ndërmarrë edhe veprime të tjera, Departamenti Ligjor i AKP-së ka iniciuar padi ndaj kryetarit dhe kryesuesit të kuvendit, me kërkesën për anulimin e vendimit të datës 27.08.2009’’, u shpreh ai.

Më tutje, Purova deklaroi para trupit gjykues se Zyra Ligjore e AKP-së nuk ka iniciuar asnjëherë kallëzim penal ndaj asnjë rasti, edhe pse në mandatin e saj mund të bëhet një gjë e tillë.

Purova e njoftoi trupin gjykues, se menaxhmenti i ‘’Sharr Prodhimit’’ ka iniciuar kallëzim penal kundër kryetarit të Komunës dhe kryesuesit të Asamblesë Komunale të Dragashit.

Zyrtari i AKP-së ka thënë se kjo agjenci ka marrë këto vendime për shkak se AKP-ja ka menaxhuar me paluajtshmërinë e pronave të “Sharr Prodhimit”.

Purova, po ashtu tha se deri më datën 27gusht.2009 “Sharr Prodhimi”, ka shfrytëzuar paluajtshmëritë në atë mënyrë që një pjesë ua ka lëshuar me qira blegtorëve dhe një pjesë tjetër e ka shfrytëzuar për vete, ngase vetë ‘’Sharr Prodhimi’ ka pasur një numër të konsiderueshëm të kullosave, madje edhe sot vazhdon të ketë kullosa të veta.

Meqë zyrtarit ligjor i duheshin disa përgatitje shtesë, seanca gjyqësore u ndërpre, ndërsa seanca e radhës me marrjen në pyetje të të njëjtit dëshmitar, do të vazhdojë më 14 korrik.

Sipas prokurorisë, pas marrëveshjes së tyre paraprake, Jenuzi dhe Rifaj akuzohen se shpërdoruan pozitën e tyre zyrtare, duke tejkaluar kompetencat, në atë mënyrë që i akuzuari i parë në cilësi të kryetarit të Komunës së Dragashit, urdhëroi drejtorin e Urbanizmit dhe Kadastrës që ta bartë pronën shoqërore, patundshmërinë në sipërfaqen prej 29,7 hektarësh prej pronarit të ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhim” në pronë të KK të Dragashit.

Më pas, këtë patundshmëri, i akuzuari Jenuzi ua dha në shfrytëzim pa ndonjë bazë juridike blegtorëve si persona fizikë.

I akuzuari i dytë, Lulzim Rifaj, si kryesues i Kuvendit Komunal të Dragashit, sipas aktakuzës, paraprakisht e ka vënë në rend dite këtë bartje të pronës shoqërore, duke bindur asamblistët që ta votojnë propozimin, edhe pse e dinte se një veprim i tillë është në kundërshtim me ligjet në fuqi, pasi menaxhimi i pronës shoqërore me ligj i përket AKP-së.

Ligji për AKP-në e përcakton këtë agjenci si administratore të ndërmarrjeve publike, pavarësisht nëse ndërmarrjet i janë nënshtruar ose jo transformimit.