Vëzhguesit e BE-së Shpërndahen nëpër Komuna të Kosovës (TV)

Dhjetëra vëzhgues të Bashkimit Evropian të mërkurën kanë filluar shpërndarjen në dhjetë vende të ndryshme të Kosovës, për t’iu bashkuar grupeve të vëzhguesve afatgjatë të cilët kanë ardhur në Kosovë për të monitoruar periudhën para fushatës zgjedhore.

Sipas shef të Misionit të Vëzhgues të BE-së në Kosovë, Marian Gabriel, këta vëzhgues do të fokusohen kryesisht për ditën e zgjedhjeve që do të mbahen të dielën me 8 qershor.

“Sot po shpërndajmë vëzhguesit afatshkurtër në dhjetë vende të ndryshme të Kosovës. Ata po u bashkohen grupeve të vëzhguesve afatgjatë që kanë ardhur këtu në periudhën e fushatës zgjedhore, ndërsa këta të sotmit do të fokusohen kryesisht për ditën e zgjedhjeve”, tha Gabriel.

Ai tha se ne do ta përdorim strategjinë e njëjtë edhe për veriun dhe natyrisht do të vendosemi në të gjitha rajonet e Kosovës,duke përfshirë edhe këtë pjesë më problematike se tjerat.

Gabriel tregoi se më 9 qershor vëzhguesit do të shpallin ato që panë gjatë monitorimit të zgjedhjeve.

“Një ditë  pas zgjedhjeve do t’i japim të gjeturat tona, ndërsa raporti final do të publikohet nja dy muaj pas zgjedhjeve”, shtoi Gabriel.

Joao Marco Domingues, nga Portugalia vëzhgues i Misionit të BE-së për zgjedhje, tha se ai do të udhëtojë për në Prizren.

“Ne tani do të udhëtojmë në destinimin tonë të vëzhgimit, në këtë rast unë do të udhëtoj në Prizren. Atje do të jemi për disa ditë, kurse disa ditë pas ditës së zgjedhjeve ne do të kthehemi në Prishtinë”, tha Domingues.

Edhe Luca di Ruggieri nga Napoli i Italisë, tha se do të jetë në Komunën e Leposaviqit.

“Unë së bashku me kolegen time portugeze do të shkojmë në Komunën e Leposaviqit. Jemi gati për t’u nisur dhe jemi të kënaqur që jemi këtu në Kosovë”, tha Ruggieri për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai tha se është hera e parë që është në Kosovë.

“Unë punoj si vëzhgues që disa vite, kam pasur pak eksperiencë kryesisht në Afrikë, kurse këtu është hera ime e parë në Kosovë, por jam shumë i kënaqur që jam këtu”, shtoi Ruggieri.

Vëzhguesit e Bashkimit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve kanë ardhur në Kosovë, pas kërkesës së presidentes së Kosovës, Atifete Jahjagës.

Jahjaga më 8 maj i kishte dërguar një letër me shkrim përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së Catherine Ashton, duke e ftuar që ajo të dërgojë në Kosovë një mision vëzhgues të zgjedhjeve.

Baronesha Ashton i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së presidentes Jahjaga, gjithashtu me një letër, më 20 maj.